Ish ministri i mbrojtjes Fatmir Mediu mori pjesë në forumin e Inteligjencës dhe Sigurisë në Bukuresht me temë”Lufta në Ukrainë dhe ristrukturimi i Sigurisë Globale”,  në cilësinë e anëtarit të Komitetit Organizator të këtij forumi në bashkëpunim me Kongresin Amerikan dhe Komisionin e Sigurisë të parlamentit Rumun. Në këtë forum folën personalitete të politikës Amerikane si Ish Komandanti Suprem i NATO-s dhe më pas Këshilltari për Sigurinë i Presidentit Obama Gjenerali Jim Jones, Senatorja Baldëin, Kryeministri Rumun drejtues të Senatit dhe parlamentit Rumun, përfaqësues të Ukrainës dhe Europës.

Të gjithë folësit dënuan agresionin Rus dhe krimet e Rusisë në Ukrainë dhe njëkohësisht krijimin e një poli kundër SHBA dhe BE nga Rusia dhe Kina, si një pol i qeverive autoritare kundër demokracisë. Të gjithë vlerësuan se konceptimi i sigurisë bazuar dhe në Samitin e NATOs në Madrid duhet të konsideroj vendime dhe veprime drastike në marrëdhëniet ekonomike-ushtarake dhe teknologjike me Kinën si një kërcënim për Aleancën e NATOs dhe Sigurinë. Shkelja e hapur e sanksioneve ndërkombëtare ndaj Rusisë nga ana e Kinës duhet shoqëruar me sanksione drejt të gjitha kompanive Kineze nga vendet e NATOs.

Ukraina jo vetëm po mbron lirinë dhe sovranitetin e vet por njëkohësisht po mbron vlerat dhe sigurinë Europiane, çdo humbje në Ukrainë është humbje për Aleancën dhe veçanërisht për sigurinë Europiane. Ballkani theksoj ai është një potencial i mundshëm konflikti, e kërcënuar nga situata në Ukrainë.

Nuk janë vetëm konfliktet dhe ndasitë historike por dhe penetrimi i Rusisë dhe Kinës në Ballkan, kanë kërkuar një terren që mund të shfrytëzohet për të rikthyer konfliktet. Zhvillimet ushtarake në Serbi, problemet në Bosnjë, ndarja dhe mos vazhdimi i dialogut Serbi-Kosovë, problemet etnike dhe ndarjet fetare në Malin e Zi, frenimi i zgjerimit të BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë janë probleme reale jo thjeshtë të rajonit apo BE por të NATO-s.