Forumi vjetor strategjik i BE në Ljubljanë, Rama dhe Xhaçka udhëtojnë drejt Sllovenisë! Në 3 shtator në Itali
Bisedimet do të përqendrohen në rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë, rimëkëmbjen e turizmit dhe tema e nxehtë e zgjerimit të BE-së, që i paraprin Samitit të tetorit.
Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka do të udhëtojnë në datat 1-2 shtator drejt Lubjanës të Sllovenisë për të marrë pjesë në forumin strategjik të BE-së, me në fokus të ardhmen e Evropës dhe përgjigjen efektive ndaj sfidave aktuale, sic është pandemia Covid që ka "gjunjëzuar" botën.
Temat e diskutuara në ditën e parë të Forumit me përfaqësues të BE-së, KE-së dhe Ballkanit Perëndimor, do të përfshijnë të ardhmen e procesit të zgjerimit të BE-së, një nga diskutimet më të forta në Forum, që i paraprin samitit BE - Ballkani Perëndimor në tetor.
Në ditën e dytë të takimit, bisedimet do të përqendrohen në rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë dhe rimëkëmbjen e turizmit.
Pas mbërritjes nga Sllovenia, në 3 shtator, kreu i qeverisë do të niset drejt Italisë, kur shënohet 30 vjetori i zbarkimit të 20,000 shqiptarëve në anijen e Vlorës në Bari.
Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:43
Vuçiç poston foton krah Ramës dhe Zaevit në Slloveni: Me miq të dashur në pritje të forumit nën hijen e Ballkanit të Hapur
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka postuar një foto krah kryeministrit Edi Rama dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Takimi i tyre është bërë në Ljubljanë në Slloveni në prag të takimit për Forumin Strategjik të Bledit që zhvillohet më 1 dhe 2 shtator.
Teksa i cilëson Ramën dhe Zaev si miq të dashur, Vuçiç shkruan se ky forum po zhvillohet nën hijen e nismës "Ballkani i Hapur"
“Forumi i Bledit nën hijen e Ballkanit të Hapur. Mirësevini miq të dashur” – shkruan Vuçiç.