TIRANË- Pas apelit të prindërve dhe “luftës” së tyre të pa ndalur, Prokuroria e Tiranë do të nisë hetimet për të zbardhur të vërtetës se si fëmija  1 vjeç është infektuar me HIV, në një kohë kur prindërit kanë rezultuar negativ. Ditën e sotme Gjykata e Apelit ka urdhëruar Prokurorinë e Tiranës të nisë hetimet.

Me këtë vendim, prokuroria që më herët kishte shkuar pushimin e hetimeve, do të jetë e detyruar të ndjekë të gjitha procedurat për të shkuar në zbulimin e burimit të infektimit, që prindërit akuzojnë virusi është marrë në ambientet spitalore të QSUT.

Sot prindërit nuk jetojnë në Shqipëri pasi janë larguar për trajtimin e të voglit të tyre, por nuk e kanë ndaluar betejën ligjore në Shqipëri. Report Tv ka investiguar rastin dhe ka hedhur dritë mbi të gjithë rrugën e gjatë dhe të vështirë të fëmijës të shtruar në disa spitale, nga materniteti e deri te pediatria në QSUT.

Autoritetet në Shqipëri e kanë pranuar që fëmija mund të jetë infektuar në spital, por siç Report Tv ka raportuar, lëvizjet e tyre nuk shkojnë më tej për të zbuluar se ku dhe kur u infektua fëmija.

1-vjeçari rezultoi pozitiv pas disa analizave të njëpasnjëshme më 3 mars 2022, pas 5 muajve me shkëputje të shtrimit në spital.