Marrëdhëniet mes dy vendeve dhe perspektiva europiane e Shqipërisë ka qenë në fokus të bashkëbisedimit të z.Meta me Presidenten e Dhomës së Deputetëve të Italisë, Laura Boldrini.
Ndërkohë, në fjalën e tij gjatë kësaj konference, kryeparlamentari shqiptar, Ilir Meta, e vuri theksin te kriza e refugjatëve.
Sipas tij, Shqipëria, pavarësisht faktit që nuk është rrugëkalimi kryesor i refugjatëve, ka qenë gjithmonë e gatshme të luajë rolin e saj. Në këtë drejtim, Meta kërkoi si domosdoshmëri një qasje Europiane për tu përballur me këtë krizë.
"Gjatë një dreke pune që pata para një muaji në Tiranë me Komisionerin Europian për Emigracionin, Punët e Brendshme dhe Nënshtetësinë, z. Dimitris Avramopoulos ndamë mendimin se zgjidhja e krizës së emigracionit ka nevojë për një qasje europiane tërësisht të koordinuar dhe një përgjigje të mirë-integruar.
Nëse BE-ja ia lë fluksin e emigrantëve disa vendeve të caktuara, do të krijojë një sërë kushtesh që prodhojnë pasoja të mëdha destabilizuese dhe nxisin rrjetet e trafikimit që lulëzojnë në mjedise jo të sigurta. Pasiguria, paqëndrueshmëria dhe mospajtimi në qasjen tonë shkaktojnë konfuzion për emigrantët dhe pasiguri për shoqëritë tona.
Shqipëria, në kuadër të një qasjeje të përbashkët europiane, do të japë kontributin e saj, siç kërkohet nga partnerët tanë dhe sipas kapaciteteve të saj", tha Meta në fjalën e tij.
Redaksia Online
Shqiptarja.com