Fotoja historike, 28 nentori si
u zhduk monumenti

Fotoja historike, 28 nentori si <br />u zhduk monumenti
Sot mund të duket çudi kur zbulon një foto të vitit 1942 dhe para syve ke një Monument të Pavarësisë në qendër të Tiranës. Në këtë foto, në një reliev afër tri metra mbi tokë, mbi të cilin ka hapur krahët një shqiponjë e madhe dykrerëshe, shkruhet me germa të mëdha:
“ISMAIL QEMALI
28 XI
1912”
Kush e ngriti dhe kush e hoqi monumentin e ngjarjes më të rëndësishme të historinë së Shqipërisë nga sheshi kryesor i Tiranës. Aty ky sot ngrihet Monumenti i Gjergj Kastriot Skënderbeut, pakkush e di se kryeqyteti i Shqipërisë Tirana kishte para 70 vjetësh një Monument të Pavarësinë. Cila është historia e tij? Si u ngrit, si u denigrua duke iu fshirë datat dhe si u zhduk pa mbetur asnjë gjurmë pas?!
Me rastin e festimit të 30-vjetorit të Pavarësisë, regjimi fashist italian në qendër të Sheshit Skënderbej ngriti një monument përkujtimor. Në kërkim të enigmës, faktin e zbuluam në librin e Valter Gjonit “Gjurmime historike në Parkun e Madh të Tiranës”. Valter Gjoni është drejtues i sektorit të Arteve në Bashkinë e Tiranës. Disa muaj më parë ai çeli dhe një ekspozitë në Muzeun Historik Kombëtar që mbante titullin "Vështrime të ndërthurura: Franca në Shqipëri 1912-1922". Nisur nga të rejat që solli ai në këtë ekspozitë, duket se kërkimet na çuan tek njeriu i duhur. I kontaktuar nga “Shqiptarja.com”, zoti Gjoni pohoi se e kishte gjurmuar deri në një farë rruge historinë e këtij monumenti, por nuk e ka gjetur dot se ku ndodhet sot shqiponja dykrerëshe, e cila është një histori më vete, nguljesh e shkuljesh duke kaluar nga njëri monument në tjetrin. Duke parë edhe njëherë me kujdes foton e Monumentit të Pavarësisë, e cila nënkupton edhe ditën e përurimit të tij, sipër është vënë një banderolë ku shkruhet kjo parullë:
“RROFTË SHQIPNIJA E MADHE
RROFTË POPULLI”
Kjo dëshmonte se regjimi fashist në Shqipëri, jo vetëm që e paskësh vlerësuar aktin e shpalljes së Pavarësisë nga Ismail Qemali në Vlorë, por edhe ishte pro firmosjes së këtij akti nga të gjithë shqiptarët, përfshi Kosovën, Çamërinë dhe gjithë trojet ku banonin shqiptarët. Ideja për “Shqipëninë e madhe” është e qartë. Këtë e konfirmon më së miri parulla që duket qartë më banderolën e manifestimit të 30 vjetorit të Pavarësisë më 1942.
Çudia kur e sheh këtë fotografi nuk qëndron tek ngritja e një monumenti për Pavarësinë e Shqipërisë, por tek zhdukja dhe humbja e çdo gjurme të tij deri më sot. Çudia qëndron tek fakti që; kur u shpall konkursi për një Monument të ri të Pavarësisë në mars 1912, ai i vjetri nuk u zu në gojë nga askush. Askush nuk u kujtua për poshtërimin që i është bërë këtij monumenti historik pas vendosjes së komunizmit në Shqipëri. Në vendin kur dikur u vendos Monumenti i Pavarësisë nuk ka më asnjë gjurmë të tij. Aty në vitin 1968 u ngrit monumenti i Gjergj Kastriot Skënderbeut.

monumenti i pavaresise
( ne foto monumenti i Pavareise)
Historia e ngritjes së Monumentit të Pavarësisë: 28 nëntor 1942

Monumenti ka një histori të çuditshme. Para se të ngrihej piedestali, njëra nga pjesët e tij, shqiponja dykrerëshe ka qenë e gatshme. Kjo shqiponjë dykrerëshe që shohim tek monumenti i pavarësisë ka për autor arkitektin Qemal Butka dhe ka pasur një destinacion tjetër, Monumentin e Lirisë (1938-1940). Valter Gjoni në librin e tij e tregon shumë saktë historinë e këtij monumenti:
“Një hark i ngushtë shumë i lartë, ndërsa mbi të është vendosur një shqiponjë. Kështu ka qenë Monumenti i Lirisë në kryeqytet, një prej monumenteve më jetëshkurtër. Simboli i lirisë u ndërtua në vitin 1938 dhe u shemb në vitin 1940. Ky monument gjigant u ndërtua në vendin ku sot ndodhet Universiteti i Tiranës. Arkitekti Qemal Butka është autori i kësaj vepre”
Gjithashtu Valter Gjoni rrëfen edhe çastin e përurimit:
“Më 1 shtator dhe 1939 Tirana e gjithë vendi përjetonte një atmosferë festive, kështu e komentojnë gazetat e kohës situatën e festimeve të 10-vjetorit të Mbretërisë. Pikërisht në kulmin e kësaj feste u përurua Monumenti i Lirisë. Më 1 shtator 1938, në orën 10 e 30, Princesha Ruhije e shoqëruar nga princi Salih, si dhe të rrethuar nga ministra zyrtarë të lartë dhe përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë, zbuluan monumentin gjigant”. Gazeta “Drita” shkruan: “Princesha Ruhije zbuloi monumentin”
Për Lirinë kombëtare ishte parulla gjigande për Monumentin e Lirisë. Dy vjet më pas, një muaj para fillimit të projekt-idesë për planin rregullues të Tiranës, në shtator të vitit 1939, arkitekti G.Bosion hartoi një studim të veçantë, që eliminonte këtë memorial historik.”, shkruan Valter Gjoni në librin e tij.
Çfarë ndodh pas kësaj. Nga regjimi fashist, pjesa simbolike e Monumentit të Lirisë, Shqiponja, dy vjet më pas, në vitin 1942, vendoset mbi piedestalin që shohim në Foton 1. Dhe kështu, në lulishten e sheshit Skënderbej u ngrit një monument me emrin e Ismail Qemalit dhe me datën historike 28-Nëntorin. Monumenti u ngrit me rastin e 30 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë.

Si u denigrua monumenti i Pavarësisë në vitin 1945

Një foto e rrallë, e zbuluar nga Valter Gjoni me një pamje të tjetërsuar të monumentit, i cili gjendet pikërisht në Sheshin Skënderbej, atje ku lartësohej tre vjet më parë Monumenti i Pavarësisë, të duket krejtësisht e pabesueshme. Shqiponja qëndron siç ishte më 1942-shin me krahët hapur, pa lëvizur. Por piedestali është shpërfytyruar. Emri i Ismail Qemalit është fshirë, është fshirë dhe data e Pavarësisë 28 Nëntor. Valter Gjoni shkruan: “Në vitin 1945 Ditë e dëshmorëve të atdheut, u përkujtua në një përkujtimore e improvizuar në Sheshin Skënderbej, aty ku sot vendoset Flamuri Kombëtar i Republikës. Gjoni e ka zbuluar këtë foto nga arkivat dhe e botuar në librin e tij. Poshtë saj shkruan: “Përmendore e improvizuar me rastin e 5 majit të parë në vitin 1954, ku bie ne sy shqiponja dhe pishtari i Monumentit të Lirisë”. Vëmë re që në monumentin e “improvizuar” shkruhet se:
“GJAKU I DËSHMORËVE T’ONË
SIGURON LIRI POPULLIT
LAVDI E PERJETSHME
DËSHMORËVE.
QEVERIA”
Kjo histori nguljesh dhe shkuljesh të shqiponjës, pishtarit, vetë Monumentit të Pavarësisë dhe zëvendësimi i emrit të Ismail Qemalit me “5 majin, 1945”, tregon fillesat e një falsifikimi barbar të Historisë së Shqipërisë nga Enver hoxha dhe komunistët, të cilën për 50 vjet errësuan gjithçka për të mbetur të vetmit protagonistë në histori.
(Shkrimi u botua ne Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Nga Korridori blu, tek pista e garave Formula 1 në Elbasan/ Rama rendit projektet për mandatin e katërt

Nga Korridori blu, tek pista e garave Formula 1 në Elbasan/ Rama rendit projektet për mandatin e katërt