Ligji për SPAK dhe GJKKO do të gjykohet të enjten në Gjykatën Kushtetuese. Në shqyrtim është kërkesa për interpretimin nëse është apo jo Kushtetues pika 5 e nenit 6 të ligjit që formon një të ashtuquajtur “Komision i Posaçëm i Verifikimit të Pasurisë dhe Figurës së Kandidatëve për të t’u bërë anëtarë të SPAK dhe GJKKO”.
Çështja ka mbërritur në Kushtetuese nga Gjykata Administrative e shkallës së parë, e cila ka pranuar kërkesën e gjyqtarit Gerd Hoxha, që ky nen të mbërrinte menjëherë në gjykatën më të lartë në vend. Gerd Hoxha, aktualisht nënkryetar i Gjykatës së Tiranës, kishte aplikuar në KLGJ për t’u ngritur në detyrë si gjyqtar i posaçëm, pasi kishte kaluar me sukses 2 shkallët e vettingut. Por kjo nuk i ka mjaftuar. Një komision tjetër i posaçëm, i parashikuar nga ligji për funksionimin e GJKKO dhe SPAK, e ka skualifikuar në garë për shkak se sipas tyre nuk plotësonte kriteret, që lidheshin me pasurinë dhe integritetin. Për gjyqtarin Hoxha ky është një vetting i dytë që i është bërë dhe kjo është antikushtetuese për shkak se nuk mund të gjykohet dy herë për të njëjtën çështje.
Në argument i përdorur nga Komisioni, që përbëhet nga 2 prokurorë të SPAK, një anëtar të GJKKO, një hetues financiar i SPAK dhe një anëtar i BKH, ishte një takim i gjyqtarit Hoxha me kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, më 20 qershor 2024 në një aktivitet publik të ambasadës britanike, me qindra të ftuar për ditëlindjen e Mbretit Charles III. Ky takim u konsiderua si kontakt i papërshtatshëm.

Pra një komision me 5 anëtarë, 4 që vijnë nga Prokuroria e Posaçme dhe vetëm një gjyqtar mund të skualifikojë nga gara pas një verifikimi që nuk certifikohet në asnjë gjykatë, jo vetëm kandidatët për t’u bërë prokurorë të posaçëm por edhe gjyqtarët e GJKKO, tek të cilët do të çojnë më pas dosjet. Ligji e thotë qartë që kandidatët duhet të kalojnë këtë filtër të kësaj ‘super strukture’ të SPAK që më pas të merren në shqyrtim nga KLGJ apo KLP sipas rastit.
Skualifikimi nga gara për gjyqtar të Posaçëm i Gerd Hoxhës do të shqyrtohet në Gjykatën Kushtetuese më 27 mars, dhe do të jetë gjykata më e lartë në vend e cila do t’i japë një përgjigje përfundimtare çështjes, e cila pritet me interes të madh, sidomos në një kohë kur diskutime për SPAK dhe kompetencat e tij janë më aktuale se asnjë herë më parë.
Debati kushtetues mbi këtë filtër, po mban peng edhe emra të tjetër që pretendojnë se janë skualifikuar padrejtësisht nga gara për prokurorë të SPAK, siç është rasti i prokurorit Ndini Tavani, i cili pasi kishte kaluar vettingun pa probleme nuk u pranua nga kolegët e tij të SPAK, që t’u bashkohej në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Xh.K/SI.E./Shqiptarja.comKomente

