Nga momenti kur modelet e para të inteligjencës artificiale gjenerative u bënë gjerësisht të aksesueshme për përdoruesit, ato janë shoqëruar edhe me dilemën nëse IA do të arrijë ose jo që një ditë të zëvendësojë kreativitetin njerëzor dhe me ‘kreativitet’ nuk dua të nënkuptoj vetëm ndërmarrje artistike, por aftësinë për të abstraguar, si edhe për t’i dhënë zgjidhje problemeve të ndryshme.
Entuziastët e teknologjisë, shpesh duke lënë në off çdo lloj mendimi kritik, apo empatie njerëzore, shfaqen mjaft të etur dhe të gatshëm për ta mirëpritur një momento të tillë. Tek e fundit, shumë prej produkteve artistike apo intelektuale me të cilat ushqehemi sot, nuk janë domosdoshmërisht edhe aq larg asaj ç’ka një inteligjencë artificiale do të mund të prodhonte pas disa promptesh. Të tjerë, të cilët përgjithësisht bëjnë pjesë në grupin e atyre që mund t’i quajmë ‘kreativë’ (dhe këtu nënkuptoj persona që merren mirëfilli me ndërmarrje artistike), shprehen skeptikë. Për ta, teknologjia do ta ketë gjithmonë të pamundur të prodhojë diçka sadopak autentike, apo të kapë diçka që lidhet me shpirtin njerëzor. Deri tani, kjo është e vërtetë, pasi vetë modelet gjenerative të inteligjencës artificiale funksionojnë mbi bazën e propabilitetit. Sado të avancuar, nuk janë edhe aq larg auto complete që motorrë kërkimi si Google kanë ofruar prej disa vitesh.
Megjithatë, çështja më shqetësuese këtu nuk mund të jetë më pyetja nëse inteligjenca artificiale do të arrijë dikur të tejkalojë kreativitetin njerëzor, por mundësia që përgjigjia e kësaj dileme mund të jetë tanimë e parëndësishme. Kolonizimi i gjuhës nga shkrimi sintetik, i prodhuar nga makina, nuk arriti të provokojë rezistencën e nevojshme kulturore, që një transformim i tillë do duhej të kishte frymëzuar. Përkundrazi, inteligjenca artificiale ia arriti të shkrihet pa ndonjë siklet në sfondin e komunikimit të përditshëm, duke bërë që dallimi mes shkrimit autentik dhe atij të gjeneruar të kthehet në një debat të parëndësishëm rreth kureshtjes estetike, sesa në një çështje morale. Thënë ndryshe, vetë aftësia për të dalluar mendimin nga imitimi është larguar nga jeta publike.
Tek ne shenjat janë tashmë të dukshme dhe inteligjenca artificiale gjenerative duket se kanë zënë një vend të rehatshëm kudo. Institucione zyrtare qarkullojnë deklarata ku gjuha është lëmuar dukshëm nga IA për të shmangur gabime gramatikore, edhe pse kjo hera-herës vjen me koston e vagullsisë së kuptimit. Gjithnjë e më shpesh, artikujt e gazetave përmbajnë tingëllojnë të shkëputura nga realiteti që synojnë të përshkruajnë. Madje, edhe në seanca të rëndësishme gjyqësore, pikërisht aty ku fjalët do të duhej të mbartnin peshën e ndërgjegjes së atyre që gjykohen, të krijohet përshtypja që të pandehurit lexojnë tekste të kompozuara nga Chat GPT. Fjalët tingëllojnë korrekte dhe precize, por njëkohësisht të vdekura. Megjithatë, askush nuk reagon sepse askush nuk pret diçka ndryshe.
Ajo çfarë ka ndryshuar, nuk është rritja e pranisë së inteligjencës artificiale në hapësirën publike, por edhe mjedisi psikologjik që e ka lejuar diçka të tillë të normalizohet pa kurrfarë rezistence. Të qenit vazhdimisht të bombarduar nga kaosi i informacionit dhe lodhja që e shoqëron, tkurrja e aftësisë për t’u përqëndruar dhe prirja për të skanuar përciptazi çdo përmbajtje që na jepet, kanë bërë që të jemi edhe më indiferentë se më parë ndaj dallimeve mes përmbajtjes autentike njerëzore dhe simulimit të saj nga kompjuteri. Nuk është më e nevojshme që fjalitë në një tekst të na shfaqin diçka, pasi mjafton të ruajnë iluzionin e rrjedhshmërisë nga një paragraf tek tjetri, pasi rrjedhshmëria mbart në vetvete komfortin e diçkaje të njohur dhe familjare për ne dhe, në epokën tonë të shpërqëndrimit masiv, familjariteti është e vërteta e vetme për të cilën kemi nevojë.
(Mos)reagimi publik ndaj përmbajtjeve gjithnjë në rritje të gjeneruara nga inteligjenca artificiale, tregon për një përmbysje të përparësive kulturore. Nëse dikur një tekst i dobët ishte tregues i mungesës së talentit dhe paaftësisë së autorit, sot nëse has një tekst të përsosur, shumë prej nesh na ndizen sinjalet e dyshimit se inteligjenca artificiale mund të “ketë dorë” në të. Megjithatë, duket se jemi të prirur më tepër të tolerojmë saktësinë mekanike të një teksti sintetik sesa imperfeksionin njerëzor, sikur vetë stili të jetë kthyer në një problem që zgjidhet për punë minutash nga softueri. I trajnuar në arkiva gjigande të shprehjeve kolektive, algoritmi i ofron lexuesit një version të inteligjencës të zhveshur nga çdo lloj personaliteti e rreziku, por kjo deri tani nuk ia ka vështirësuar aspak qarkullimin, ndoshta pikërisht sepse kjo lloj inteligjence nuk kërkon asgjë në këmbim.
Por, kjo ka pasojat e saj. Nëse një shoqëri mësohet me konsumin e vazhdueshëm të një proze mekanike, ajo do të fillojë të përvetësojë edhe logjikën e saj, duke humbur gradualisht çdo lloj nuance. Lexuesi mësohet të vlerësojë shpejtësinë përkundrejt thellësisë së tekstit, sintezën përkundrejt ngritjes së pyetjeve. Për rrjedhojë, fuqive mbi ne nuk iu nevojitet më as censura dhe as propaganda për të zhbërë kuptimin, pasi vetë ne jemi të gatshëm të dorëzohemi vullnetarisht ndaj komfortit. Makina, në këtë aspekt, nuk ka nevojë që të na dominojë, por mjafton të imitojë përtacinë tonë intelektuale.
Është disi tragjike që arritja më e madhe e inteligjencës artificiale nuk qëndront tek se sa inteligjente është, por tek banaliteti i saj. IA ka mësuar më së miri të prodhojë atë lloj përmbajtjeje që njerëzit prej kohësh tashmë e kanë pranuar si mjaftueshëm cilësore. Pyetja nëse diçka është shkruar nga njeriu apo nga IA e humbet rëndësinë kur të dy llojet e shkrimit ndjekin të njëjtën logjikë të efikasitetit. Kështu, fjalimet politike, editorialet e gazetave, argumentet ligjore në gjykata, etj., fillojnë të gjitha të konvergjojnë drejt një neutraliteti të përbashkët gjuhësor, duke çuar drejt një peizazshi kulturor ku gjuha, edhe pse vazhdon të funksionojë, humbet çdo nuancë që vjen me përvojën njerëzore.
Dikush mund të thotë se çdo përparim teknologjik në fushën e shkrimit – nga shtypshkronja te procesuesit digjitalë të tekstit si Microsoft Ëord – ka shkaktuar ndjesi të ngjashme ankthi. Por, ka diçka ndryshe në këtë moment teknologjik, pasi gjendemi jo përballë rrezikut se makineritë mund të mendojnë për ne, por se vetë ne po e përshtasim mënyrën tonë të të menduarit me ritmin e makinerive. Dukuri të tilla si tkurrja e vëmendjes në reagime të shpejta emocionale, kalimi nga leximi në skanim të tekstit, krijojnë mjedisin ideal për lindjen e një mënyre komunikimi që nuk rrezikon asnjëherë të bjerë në keqkuptim, duke eleminuar çdo lloj thellimi. Thëë ndryshe, askush nuk thotë më asgjë që mund të shqetësojë të tjerët, apo të nxisë mendim. IA lulëzon në mjedise të tilla, pasi ka lindur prej tyre dhe është trajnuar me sasi të mëdha përmbajtjesh të komunikimit masiv, ku fjalitë ekzistojnë vetëm për të ‘nxirë fletën.’
Praktikisht, nuk kemi të bëjmë me krizë të autorësisë, por me krizë të vëmendjes. Zhdukja e lexuesit i parapriu triumfit të algoritmit. Nëse askush nuk kërkon thellësi, makineria nuk ka nevojë që ta ofrojë atë. Nëse askush nga ne nuk kërkon më të surprizohet nga një tekst që lexon, atëherë makineria nuk ka nevojë që ta shpikë. Për rrjedhojë, e ardhmja e gjuhës nuk do të varet më nga avancimet e modeleve të IA, por nga vullneti ynë për të rekuperuar leximin si një akt rezistence. Të lexuarit ngadalë, me vëmendje dhe në mënyrë kritike, është ndoshta e vetmja mënyrë që na mbetet për të thelluar distancën mes mendimit dhe automatizimit.
Për moomentin, distanca vahzdon të tkurret dita-ditës, ndërsa perizazhi gjuhësor në Shqipëri, sikurse kudo tjetër në botë.
