Një operacion mes SPAK dhe Antimafies Italiane goditi një grup kriminal shqiptar të përfshirë në trafikun e drogës, pastrimin e parave dhe një ekzekutim mafioz në jug të Italisë më 25 prill 2025. Ishin hetimet për vrasjen e berberit italian Francesco Diviesti në Canosa di Puglia, që çuan në goditjen e këtij grupi, ku i përfshirë në vrasje dyshohet edhe shqiptari Igli Kamberi, aktualisht në burg në Itali.

Atë mbrëmje, Diviesti u përfshi në një konflikt në një bar të Barlettës, qytet mes Barit dhe Foggias. Ai u dërgua brenda disa shpellave, pranë një zonë të izoluar, ku u qëllua 5 herë nga dy pistoleta. Më pas, të riut iu vu flaka brenda disa gomave, me qëllim që kufoma të digjej, sipas një metode të përdorur në vitet ’90, në këtë zonë.

Francesco Diviesti ishte pjesë e një rrjeti të vogël shpërndarësish droge në Barletta, i lidhur me një grup trafikantësh shqiptarë të drejtuar nga 40-vjeçari shqiptar Igli Kamberi. Sipas hetuesve italianë, konflikti mes tyre nisi për një borxh prej 500 eurosh për çështje drogë. Diviesti kishte shlyer një pjesë të shumës duke paguar një makinë me qira të përdorur nga Kamberi, por më pas kundërshtoi shumën e mbetur, duke pretenduar se kilometrat e makinës ishin më shumë nga sa deklarohej.

Sipas prokurorëve që dhanë detajet në konferencë, problemi nuk ishte vetë borxhi, por fakti që parukieri kishte vënë në diskutim fjalën e kreut të grupit. Për këtë arsye, ai dhe një mik i tij u përballën me njerëzit e Kamberit në një lokal.

Miku i tij u dhunua brutalisht, ndërsa më pas dyshohet se u dha urdhri për eliminimin e të dyve. Mbrëmjen e 25 prillit, Diviesti u rrëmbye, u transportua me makinë në një gurore të njohura si “Femmina Morta” dhe aty u ekzekutua.

Report Tv ka siguruar fotot nga dosja hetimore italiane, të cilat tregojnë vendin ku u krye ekzekutimi mafioz. Në foto dallohet hyrjet e guroreve të braktisura, vendi që grupi kishte zgjedhur për të mos lënë gjurmë.

Gurorja ku u vra italiani

Brenda tunelit të gurores, policia shkencore gjeti trupin e karbonizuar të 26-vjeçarit, ndërsa në dysheme u sekuestruan 9 gëzhoja plumbash të dy armëve të ndryshme. Në foton më poshtë, me shigjetë tregohet ambienti ku u gjet kufoma e italianit të vrarë.

Me shigjetë të kuqe, vendi ku u gjet trupi i italianit të vrarë

Fotot e tjera tregojnë trupin e 26-vjeçarit plotësisht të karbonizuar, të mbështjellë me goma automjetesh. Të riut iu vu flaka brenda disa gomave, me qëllim që kufoma të digjej dhe të zhdukeshin gjurmët.

Trupi i karbonizuar i italianit

Hetimet zbuluan se vendndodhja e trupit u identifikua falë GPS-it të instaluar nga Antimafia italiane në makinën Renault Captur që përdorej nga grupi kriminal i drejtuar nga Kamberi. Të dhënat treguan se automjeti kishte ndaluar për rreth 12 minuta pranë hyrjes së gurores, pak orë pas denoncimit të prindërve për zhdukjen e Diviestit.