NJU JORK, 27 Janar/ATSH/- Një stuhi dëbore është duke goditur verilindjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke krijuar një kaos total për thuajse 60 milionë njerëz.
Stuhia, e cila krahasohet me uraganin "Sandy" që goditi rajonin në vitin 2012, ka detyruar 6 shtete amerikane të shpallin gjendjen e jashtëzakonshme.
Zyrtarë amerikanë kanë bërë të ditur se mbi 6,500 fluturime janë anuluar, kurse të gjitha shkollat dhe bizneset janë mbyllur.
Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Como ka deklaruar se pas orës 11 të natës do të ketë ndalim qarkullimi dhe askush nuk do të kalojë në rrugë përveçse mjetet e emergjencës.
Stuhia e fuqishme e dëborës e nisur që prej orës 23 me orën lokale në Nju Jork ka paralizuar një pjesë të mirë të Amerikës verilindore.
Për të evituar në maksimun rreziqet dhe dëmet e shkaktuara nga stuhia e borës që është duke ndodhur gjatë këtyre orëve në të gjithë verilindjen e SHBA-ve, është ndaluar edhe qarkullimi i mjeteve.
Të ndaluar për të qarkulluar janë edhe mjetet publike, si dhe janë mbyllur të gjithë komunikimet nga Nju Jersey, George Uashington Bridge deri në fund të lumit Hudson.












