PARIS - Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Katedralen më të famshme në botë, atë të "Notre Damme de Paris" kanë bërë të ditur mediat franceze. Një historian i njohur i ekstremit të djathtë në Francë ka nxjerrë armën, me t’iu afruar altarit qendror dhe ka qëlluar veten.

Policia tha se historiani nuk bëri asnjë deklaratë përpara vetëvrasjes, por pranë trupit të tij të pajetë u gjet një letër, përmbajtja e së cilës nuk është bërë ende e ditur. Dominique Venner, 78 vjeç, (Foto) ishte i njohur për esetë e tij politike dhe një kundërshtar i ashpër i martesës së homoseksualëve, ligj që u miratua të shtunën e kaluar.

Gjithashu Venner ishte dhe një anëtar i organizatës Ushtria e Fshehtë, e cila iu kundërvu pavarësisë algjeriane, në fillim të viteve ’60, dhe u përpoq të vriste ish- presidentin francez Charles De Gaulle. Pak para vetëvrasjes së tij, Venner u kërkoi lexuesve të blogut të tij, që të mblidheshin në rrugë për një protestë kundër martesës së homoseksualëve të dielën.

Franca u bë vendi i 14-të në botë, që lejon martesat e homoseksualëve, kur Presidenti François Hollande nënshkroi ligjin, që lejon martesat e të njëjtit gjini, një premtim që ai bëri gjatë fushatës së tij elektorale.

Udhëheqësja e Partisë së Ekstremit të Djathtë, Fronti Kombëtar, Marine Le Pen, komentoi në rrjetin social në Twitter se akti i vetëvrasjes së Venner është një gjest politik, që synon "zgjimin e popullit francez".


Redaksia Online
(lç/mag/shqiptarja.com)