TIRANE-Gjykata Penale ka vendosur që turku Faruk Baybašin, i arrestuar në datë 24 dhjetor të vitit të kaluar të vijojë që të qëndrojë në qeli pa afat. Masa e parë se sigurisë prej 40 ditëve që ishte vendosur në dhjetor me qëllim ekstradimin drejt Francës përfundonte sot dhe avokati kërkoi shuarjen e lirimin e tij.
Por duke qenë se kërkesa për ekstradimin e tij është në gjykim, prokuroria kërkoi zgjatjen e qëndrimit të tij në burg pa afat, që është pranuar nga gjykata. Prokuroria kërkon ekstradimin e turkut, pasi ai është dënuar në Francë me 30 vite burg. Ai akuzohet për trafikim të lëndëve narkotike nga Turqia, përmes Spanjës në Francë.
Ai është dënuar si pjesë e trafikantëve të familjes Baybesin, konsideruar si "Eskobarët e Evropës". Në seancën e sotme që është zhvilluar në gjykatën penale të Tiranës, gazetarja e Report Tv Xhensila Kodra ka zbardhur edhe debatin e tij me gjyqtarin Gert Hoxha.
Baybašin: Dua të bëjë një pyetje. A është në fuqi ligji për të drejtat e njeriut në Shqipëri? Unë nuk kam qenë asnjëherë në Francë.
Gjyqtari Gert Hoxha: I kemi të gjitha ligjet, madje ligje që ju nuk i keni në Turqi.
Baybašin: Kam 40 ditë këtu, duhet të isha liruar, në bazë të të drejtave të njeriut.
Gjyqtari: Kur të shkoni në Francë kërkoni ndryshimin e vendimit, i cili u mbaron në vitin 2003. Ndaloj ekstradimin në Francë vetëm nëse rezulton gjatë gjykimit që nuk mund të bëhet një gjë e tillë.
Gjykata do i vërë në dispozicion të gjitha aktet e vendimit të dënimit në Francë, të cilat do përkthehen me afat dy javor. Seanca e radhës në datën 04 shkurt, ora 10:00. Më 24 dhjetor, Faruk Baybesin tentoi të hynte në Shqipëri nëpërmjet pikës së kalimit kufitar Rinas për t’u fshehur, por u zbulua nga autoritetet shqiptare që ishte një person në kërkim me ngjyrë të kuqe dhe i dënuar për trafik të heroinës.