PARIS – Nëse tratativat në Siri do të dështojnë, Franca dhe partnerët e saj do të lëvizin drejt një “zgjidhjeje bazuar në kapitullin 7” të Kartës së OKB-së, që parashikon edhe ndërhyrjen ushtarake, në rast kërcënimi ndaj paqes. Pohimi vjen nga ministri i Jashtëm francez, Alain Juppe.

Juppe tha se shpresonte që të paktën 300 vëzhgues të OKB-së të dërgohen në Siri “brenda 15 ditësh”, duke gjykuar se plani i paqes i të dërguarit special Kofi Annan tashmë është “kompromentuar tepër”.

I dërguari i posaçëm i OKB-së Kofi Annan i tha Këshillit të Sigurimit se në Siri po vazhdon të shënohet një nivel i papranueshëm i dhunës, pavarësisht një armëpushimi të hyrë në fuqi që më 12 prill.

Ashtu si në rastin e Libisë, ku de facto mori edhe komandën e operacioneve, Franca është vendi i parë që flet hapur për një ndërhyrje të armatosur.

(im/shqiptarja.com)