Kandidatja për presidente në Francë, Mari Le Pen, ka deklaruar gjatë ditës së djeshme se në rast fitoreje ajo do t’i japë prioritet kombëtarë punësimit, nëpërmjet vedosjes së një takse shtesë për çdo kontratë të lidhur me punonjës të cilët nuk janë francezë.

“Në këtë mënyrë një pjesë e personave do të kërkojë të largohet sepse Franca nuk do të nxisë më imigracionin. Ndërsa për pjesën tjetër do të zgjidhen persona që përkojnë me disa kritere dhe që nuk peshojnë mbi financat publike”, është shprehur ajo.

Ajo është shprehur se një masë e tillë është diçka patriotike dhe do të ndikojë edhe në rritjen e fuqisë blerëse në vend.

“Në bazë të gjithë kësaj është patriotizmi, çdo masë e adoptuar dhe çdo euro i shpenzuar duhet të mbrojë interesat e francezëve. Në veçanti duke iu dedikuar zgjidhjes së problemit të fuqisë blerëse”, ka deklaruar Le Pen, për të përditshmen franceze “Le Mond”.

Mari Le Pen është e njohur për qëndrimet e saj kritike ndaj politikave të ndjekura nga BE-ja në lidhje me emigrantët.

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com