Ministri i sapoemëruar francez i Ekonomisë, i riu dhe liberali Emmanuel Macron, e bëri shumë shpejt gafën e parë në postin e një zyrtari të lartë të qeverisë, ndërkohë që një sërë protestash kanë shpërthyer në rrjetet sociale për një frazë të tij të pamatur.

Duke ndërhyrë në një debat mbi thertoret e Gadit, në Bretanjë, ku punonjësit janë në vështirësi, çka ka çuar deri në mbylljen e tyre, Macron tha për radion "Europe 1" se "gratë që punojnë aty janë injorante".
"Në këto thertore ka një numër të madh grash, që për më tepër janë injorante", deklaroi Macron. "Atyre u është thënë se në këto thertore nuk ka të ardhme, kështu që shkoni punoni 50 apo 60 kilometra më tutje. Por, ato nuk kanë patentë. Çfarë të bëjmë tani. T'u japim 1 500 euro pagë dhe të presim një vit sa të marrin patentën?", tha më tej ministri francez.

Fraza mbi injorancën e grave, të cilat kanë vështirësi të marrin patentën me siguri që do të shkaktojë polemika në Francë, sidomos pas akuzës kundër presidentit francez, François Hollande, i cili në biseda private i konsideron të varfërit si "dhëmbëshkulur"./ATSH/