Michel Barnier
Deputetët francezë po diskutojnë një mocion mosbesimi, i cili ka shumë mundësi të votohet mbrëmjen e sotme, një ngjarje e parë në Francë që nga viti 1962 dhe që do të përkeqësonte pasigurinë politike dhe ekonomike në një vend kyç të Bashkimit Evropian. Votimi pritet të zhvillohet rreth orës 19.
Liderët e kësaj aleance të përkohshme kanë deklaruar se, përtej qeverisë aktuale, është Emmanuel Macron ai që është në shënjestër të tyre, megjithëse fati i presidentit francez, i cili ka një mandat deri në vitin 2027, nuk është ligjërisht i lidhur me atë të qeverisë.
Liderja e ekstremit të djathtë francez, Marine Le Pen, ka deklaruar se Macron duhet të “përcaktojë vetë nëse është i aftë të mbetet (president i Republikës) apo jo”.
Rënia e ekzekutivit të udhëhequr nga Michel Barnier, pas vetëm tre muajsh në detyrë, do të ishte më e shkurtra që nga miratimi i Kushtetutës franceze në vitin 1958. Dy mocionet u paraqitën pasi të martën Kryeministri aktivizoi nenin 49.3 të Kushtetutës, që lejon miratimin pa votim të legjislacionit për buxhetin e Sigurimeve Sociale.
Ky vendim u mor pas disa ditësh diskutimesh të ashpra mbi buxhetin, gjatë të cilave Barnier u tërhoq përpara kërkesave të ekstremit të djathtë, të cilat, sipas tij, kërkonin gjithnjë e më shumë.
Përballë një skenari që dukej i pashmangshëm, mbrëmjen e martë Barnier apeloi në televizion për “përgjegjësinë” e deputetëve për të shmangur censurën, në “interes të vendit”.
Nga Arabia Saudite, ku ndodhet në një vizitë shtetërore, presidenti francez deklaroi se “nuk mund ta besojë një votë mosbesimi” ndaj qeverisë.
Macron duhej të kthehej në Paris të mërkurën në mbrëmje, në kohë për të vlerësuar cilat veprime të ndërmarrë në rast se ekzekutivi rrëzohet. Në rast të një votimi mosbesimi, atij do t’i takonte të emëronte një Kryeministër të ri.
Lajmi kryesor: