Të paktën 40 milionë francezë  kanë marrë një dozë të vaksinës kundër koronavirusit, deklaroi të hënën presidenti Emmanuel Macron. Vetëm gjatë 2 javëve të fundit kanë marrë një dozë rreth katër milionë njerëz, duke bërë që kështu të paktën rreth 60 për qind e popullsisë tani është e vaksinuar pjesërisht ose plotësisht.

“Të gjithë së bashku do ta mundim virusin. Do të vazhdojmë më tej”, tha ai.

Komentet vijnë disa orë pasi Parlamenti francez  miratoi legjislacionin që i bën vaksinat kundër koronavirusit të detyrueshme për punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe e zgjeron listën e ambienteve që kërkojnë pasaportën e COVID-19, për të frekuentuar ambiente publike.  Ligji u jep punëtorëve të kujdesit shëndetësor kohë deri më 15 shtator që të vaksinohen - në të kundërtën, rrezikojnë pezullimin.

Leja shëndetësore, që tregon se njerëzit janë vaksinuar kundër koronavirusit, janë shëruar ose kanë rezultuar negativë gjatë testimit, do të kërkohet për hyrje edhe në restorante e bare.

Franca është një nga vendet më të prekura në Evropë nga koronavirusi. Mbi gjashtë milionë njerëz janë infektuar nga të cilët mbi 111,000 kanë humbur jetën.