Një person ka mbetur i vrarë dhe pesë të tjerë janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri në periferi të Parisit, në Francë. Ngjarja ndodhi në zonat e Trappes dhe La Verrière, ku një person qëlloi me armë nga një automjet në disa vende të ndryshme. Autoritetet franceze dyshojnë për një sulm me motive terroriste dhe raciste, ndërsa i dyshuari është arrestuar.

Sipas mediave të huaja, të shtënat zgjatën më pak se 15 minuta. Mes të plagosurve është edhe një vajzë 12-vjeçare, e cila u plagos rëndë. Tre prej të plagosurve ndodhen në gjendje shumë të rëndë.

Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nuñez, e cilësoi ngjarjen si një “krim terrorist”, ndërsa Prokuroria Kombëtare Kundër Terrorizmit ka marrë përsipër hetimet për të përcaktuar motivet e sulmit.

Kryebashkiaku i Trappes, Ali Rabeh, deklaroi se autori dukej se qëllonte në mënyrë të rastësishme ndaj njerëzve në rrugë, duke shtuar se ngjarja mund të ketë pasur motive raciste dhe islamofobe.

“Ky është ndoshta një nga rastet e para të tentativës për vrasje masive të motivuar nga islamofobia dhe racizmi”, u shpreh Rabeh.

Sipas autoriteteve, hetimet po përqendrohen edhe te mundësia që viktimat të jenë përzgjedhur për shkak të racës, përkatësisë etnike, kombësisë ose fesë së tyre.

I dyshuari u arrestua në qytetin e afërt të Coignières, pas ndërhyrjes së pesë efektivëve të policisë. Sipas ministrit të Brendshëm, arma e përdorur dyshohet të ketë qenë e tipit ushtarak ose automatike.