ITALI - Prishja përfundimtare e marrëdhënies ndodhi në Ditën e Republikës, ndërsa pjesa tjetër është histori e orëve të fundit. Historia mes Dusan Vlahovic dhe Juventusit ka marrë fund për shkak të mungesës së marrëveshjes mbi pagën, por pika që duket se 'derdhi kupën' ishte një deklaratë e vetë sulmuesit serb.

“Po pse duhet të paguhem sa Davidi?”, mësohet të ketë thënë Vlahovic, sipas raportimit të 'Tuttosport'.

Me pak fjalë, bëhet fjalë për 6 milionë eurot në sezon që i janë garantuar sulmuesit kanadez Jonathan David për ta sjellë në Torino verën e kaluar dhe që do të përbënin bazën e kontratës së re për ish-lojtarin e Fiorentinës. Shumë pak për DV9, i cili e refuzoi ofertën me ironi, duke mbetur i palëkundur në kërkesën e tij prej 8 milionë eurosh në vit, të cilën e kishte paraqitur që në fillim.

Ky qëndrim ironik nuk u prit mirë nga drejtuesit e Juventusit, të cilët vendosën t’i japin fund negociatave pa bërë më përpjekje për të rritur ofertën. Mesazhi ishte i qartë: “Merre ose lëre”, dhe Vlahovic zgjodhi ta lërë.

Në fund u dorëzua edhe trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, i cili deri në momentin e fundit ishte përpjekur të shërbente si urë lidhëse mes palëve. Edhe pse nuk e kishte fshehur kurrë dëshirën për ta mbajtur serbin në skuadër, duke e konsideruar thelbësor për lojën e tij, ai përfundoi duke mbështetur vendimin e klubit.

Tani është koha për të gjetur një alternativë dhe për të rindërtuar repartin ofensiv, i cili aktualisht, zyrtarisht, përbëhet vetëm nga Jonathan David, Loïs Openda dhe Arkadiusz Milik. Duke pasur parasysh se edhe qëndrimi i tyre nuk është i sigurt, Juventusi po shqyrton disa alternativa.

Në krye të listës mbetet emri i Randal Kolo Muani, një lojtar që ishte sugjeruar nga vetë Spalletti që në janar dhe që Juventusi do të përpiqet ta rikthejë në 'Continassa'. Drejtori sportiv Comolli do të duhet të negociojë sërish me Paris Saint Germain, megjithëse fakti që francezi nuk do të marrë pjesë në Botëror mund ta lehtësojë marrëveshjen.

Më pas vijnë dy profile të reja. I pari është Alexander Sørloth i Atlético Madrid, me agjentin e të cilit raportohet se tashmë ka pasur një takim.

Emri tjetër është Jean-Philippe Mateta i Crystal Palace, i cili më parë ishte pranë transferimit te Milani, por u refuzua për shkak të problemeve fizike. Tani ai është rikthyer në radarët e “Zonjës së Vjetër”.

Në këtë mënyrë, pas largimit të pritshëm të Vlahovic, Juventusi duket i vendosur të nisë një epokë të re në sulm, me disa emra të rëndësishëm në listën e objektivave.