FUSHE-KRUJE - Buxheti i vitit 2013 është më i dobët nga 1997. Kështu është shprehur deputeti i qarkut Durrës, njëherësh edhe Sekretari i Përgjithshëm i Frymës së Re Demokratike (FRD) Gazmend Oketa, gjatë zyrtarizmit të degës së saj në Fushë-Krujë. Oketa theksoi se ky buxhet e zhyt në borxhe qeverinë për interesat elektorale të disa politikanëve dhe jo të qytetarëve.

Oketa u bëri thirrje edhe qytetarëve të Fushë-Krujës të shembin murin e keqqeverisjes dhe korrupsionit të kësaj qeverie ne 2013.

Ndërkaq, ky mendim edhe i përforcuar edhe nga kreu i FRD-së, Bamir Topi i cili e cilësoi Kryeministrin Berisha një Don Kishot që nuk pranon krizën ekonomike që po kalon vendi.

“Ndërkohë që të gjithë liderët e perëndimit e pranojnë një gjë të tillë gjithashtu raportet e Bankës Botërore tregojnë se 35 % e popullsisë marrin ushqimet me lista ndërsa ky njeri e rendit Shqipërinë pas Gjermanisë për zhvillimin ekonomik”, bëhet e ditur në njoftimin për shtyp të FRD-së.

Ndërkohë, Topi u shpreh se “Berishën nuk e beson me njeri sepse ai e ka humbur këtë të drejtë.”

Në 2013 FRD do të realizojë një fitore surprizë dhe do të jetë një forcë e cila do të marrë pjesë në vendimmarrje të rëndësishme institucionale dhe politike, thuhet në deklaratën për shtyp.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)