FRPD, pas Vlorës, Salianji fiton
edhe në Kavajë, Greta Koçi 1 votë

FRPD, pas Vlorës, Salianji fiton<br />edhe në Kavajë, Greta Koçi 1 votë
TIRANE- Rezultati i Konventës së Vlorës ka qenë zhgënjyes për nënkryetaren në detyrë të Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Greta Koçi. Pas vetëm 17 votave të marra në këtë degë, ndër më të mëdhatë e Forumit rinor demokrat me mbi 1 400 anëtarë të rinj, ajo s’ka pritur përballjen në Konventën e Kavajës, por ka dhënë dorëheqjen gjatë paradites së djeshme. Burime për “Shqiptarja.com” bënë të ditur se Koçi ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryetarin demokrat, Lulzim Basha, të cilit i ka shprehur dorëheqjen e saj nga gara. Mësohet se Basha nuk ka insistuar në drejtim të kundërt, por e ka lënë vendimin përfundimtar në dorë të nënkryetares së FRPD nisur edhe nga fati se tërheqja bëhej vetëm pak orë nga Konventa e Kavajës.
 
Arsyet
Greta Koçi është treguar e kursyer për të sqaruar arsyet e dorëheqjes së saj nga një garë e saponisur. Interesimit të “Shqiptarja.com”, ish-drejtuesja e FRPD iu përgjigj se detajet do t’i bëjë sot publike gjatë një konference për shtyp. Ajo nuk komentoi as pretendimet e disa mediave se dorëheqja e saj erdhi pas përplasjeve me kandidatët e tjerë në zgjedhje dhe akuzat ndaj kryesuesve të garës, Ervin Salianji dhe Belind Këlliçi se kanë mbështetjen e zyrtarëve të lartë të PD, përfshirë këtu edhe të kryetarit demokrat, Lulzim Basha. Megjithatë, mbështetësit e Greta Koçit në zgjedhjet për kryetarin e FRPD, pohuan për gazetën se rezultati i Vlorës me vetëm 17 vota për të, ishte një zhgënjim i madh, i cili sipas parashikimeve do të thellohej në konventat e degëve të tjera.
 
1 votë në Kavajë        
Nënkryetarja në detyrë e FRPD, Greta Koçi mungoi dje në Konventën e Kavajës, ndërsa ishin të pranishëm pesë kandidatët e tjerë. Në kushtet kur dorëheqja është bërë gjatë garës së nisur, është i pamundur ç’rregjistrimi i saj nga fletët e votimit. Kjo ka bërë që Koçi të votohet edhe në Kavajë, por në përfundim të procesit të votimit, ka marrë vetëm një votë. Megjithatë, kjo vlen sa për statistikë pasi zyrtarisht Greta Koçi prej ditës së djeshme nuk është më pjesë e garës zgjedhore në FRPD. 
 
Salianji
Ervin Salianji ka fituar zgjedhjet për kryetar të Forumit Rinor të Partisë Demokratike, edhe në Konventën e degës së Kavajës. Pas prezantimit të platformave dhe zhvillimit të debatit mes kandidatëve, anëtarët e FRPD iu drejtuan kutive të votimit. Në përfundim të numërimit, nga 240 anëtarë që ushtruan të drejtën e votës, fitues është shpallur Ervin Salianji me 80 vota. I dyti është renditur Belind Këlliçi me 76 vota, ndërsa vlen të theksohet se ish-zëdhënësja e PD, Oriela Nebijaj ka marrë një rezultat në kënaqshëm në Kavajë me 72 vota, katër më pak se Këlliçi. Enri Çeno, kandidati tjetër ka marrë 10 vota, ndërsa asnjë votë s’ka shkuar për Lisandër Hoxhën. Konventa e Kavajës është e dyta që fitohet nga Salianji, pas asaj të Vlorës. Zgjedhjet për kryetar të FRPD vijojnë sot me Konventën e degës së Matit. 

Dorëheqja
Mbështetësit e Greta Koçit, pohuan për gazetën se rezultati i Vlorës me vetëm 17 vota për të, ishte një zhgënjim i madh, i cili sipas parashikimeve do të thellohej në konventat e degëve të tjera
 
Ervin Salianji
Në përfundim të numërimit të votave në Konventën e Kavajës, fitues është shpallur kandidati Ervin Salianji me 80 vota. I dyti është renditur Belind Këlliçi me 76 vota, ndërsa Oriela Nebijaj ka marrë 72 vota

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Djegin karriget dhe sende drejt Spiropalit, si e vlerësoni aksionin e PD?



×

Lajmi i fundit

VIDEOLAJM/ E rrallë, foka viziton bregdetin e Sarandës

VIDEOLAJM/ E rrallë, foka viziton bregdetin e Sarandës