Një postim i paradites së sotme në një faqe në Facebook me emrin Aeroportit të Vlorës njoftonte se tashmë mund të prenotohej biletë fluturimi Vlorë-Zyrih përmes kompanisë zvicerane Chair Airlines.

Njoftimi, që më së shumti tregon përplasjen e madhe që po ndodh në VIA, është publikuar në një faqe të hapur rishtazi, me një deklaratë që i referohet ish administratorit të shkarkuar Valon Lluka, ndërkohë që nga verifikimi i Report Tv shitja e biletave ende nuk ka nisur,

Por, pavarësisht këtij njoftimi që pretendon zhvillime pozitive, Report Tv ka mësuar se për Aeroportin e Vlorës nga prokuroria e Tiranës nuk ka lajme të mira. Burime kanë konfirmuar se në organin e akuzës së kryeqytetit hetimet që nisën për mashtrim dhe falsifikim kanë marrë një tjetër rrjedhë.

Prokurori i çështjes Ndini Tavani po heton për dyshimet se vlerat e investimit janë fryrë përmes falsifikimit të situacioneve dhe punimeve fiktive.

Vlera e deritanishme e punimeve, e pretenduar nga kompanitë e koncesionarit, “Mabco Constructions SA” e Behgjet Pacollit dhe ‘2A Group’ e Valon Ademit, sipas prokurorisë kap shifrën e 150 milionë eurove, ndërsa në fillim të koncesionit ishin parashikuar 104 mln euro pa TVSH, ose afërsisht 125 milionë euro.

Vlera e fryrë e disa situacioneve financiare për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, ka ngritur dyshime për abuzime dhe deklarime shpenzimesh, për punë të pakryera, dhe se shifra e pretenduar prej 150 milionë eurosh nuk është reale, por më e vogël. Për këtë arsye, Prokuroria e Tiranës ka nisur një verifikim, duke dërguar kërkesa për informacion dhe duke sekuestruar dokumentacion në disa institucione dhe te palët e përfshira në procedurat e tenderimit dhe ndërtimit të aeroportit.

Hetimi ka nisur pas denoncimeve, por edhe problematikave të konstatuara në infrastrukturën e ndërtuar, përfshirë përmbytjet e shfaqura pas reshjeve të shiut. Burime pranë organit të akuzës bëjnë me dije se dyshime ka edhe për cilësi të dobët të punimeve.

Vetëm 2 javë më herët një vendim i Gjykatës së Apelit në Tiranë duket se riktheu të paktën përkohësisht normalitetin në kantierin e ndërtimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Behgjet Pacollit iu rikthye e drejta e votës, me kufizimin e vetëm për mos tjetërsimin e aksioneve që i pretendon ortaku tjetër, Valon Ademi.
Sa i përket hetimit penal në prokurorinë e Tiranës ai nisi për Behgjet Pacollin, vëllain e tij Emin Pacolli, si dhe shtetasin Nelson Çela, administrator i kompanisë mëmë në Zvicër Mabco Construction S.A. Të tre dyshohen për mashtrim me pasoja të rënda, mashtrim kompjuterik, si dhe falsifikim të dokumenteve dhe akteve.