Të shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Hotel Gjuta ku një 18-vjeçare u plagos me armë zjarri, janë arrestuar Sajmir Gjuta dhe Elvir Gjuta, për të cilët është vendosur që të hetohen në gjendje të lirë.
Sajmir Gjuta 49 vjeç është babai i Erisjaldo Gjuta, i dashuri i 18-vjeçares, ndërsa Elvir Gjuta, është kushëriri i 22-vjeçarit. Ky i fundit ndodhet në burg për të njëjtën ngjarje.
Sajmir Gjuta dhe Elvir Gjuta akuzohen për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Elvir Gjuta gjithashtu ka shoqëruar 18-vjeçaren në spital së bashku me mamanë e 22-vjeçarit. Të pyetur në ato momente për rrethanat e plagosjes së të resë, ata kanë deklaruar se vajzën nuk e njohin, por e gjetën të shtrirë te rreth-rrotullimi pranë Fakultetit të Ekonomikut.
Por hetimet zbuluan se vendngjarja ishte pikërisht te Hotel Gjuta, aty ku burrat e fisit, dyshohet se fshinë gjurmët, përfshirë armën e cila ende nuk është gjetur.
“Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Specialistët për Hetimin e Krimeve kundër Jetës dhe Pronës kapën shtetasit S. Gj. dhe E. Gj., të cilët ishin shpallur në kërkim për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, kryer në bashkëpunim, për ngjarjen e ndodhur më datë 14.02.2026, në Sauk, ku u vetëplagos një 18-vjeçare. Pas konsultimit me Prokurorin, u vendos që këta shtetas të hetohen në gjendje të lirë”, njofton policia.
Komente


