Në qershorin e këtij viti kreu në detyrë i ILDKP-së, Adriatik Llalla shprehej se drejtësia, pra prokuroria dhe gjykatat, nuk ndëshkonin zyrtarët e korruptuar. Shumica e personave që ishin pa emra në deklarimet e kryeinspektorit, ishin trajtuar në dosjet që kreu i ILDKP-së kishte patur në duar, prej vitit 2008, kur mori postin e drejtuesit. Në listën e gjatë të emrave që kanë qenë prej mëse katër vitesh në dosjet e ILDKP-së, për deklarime të rreme dhe fshehje të pasurisë, duke mos justifikuar origjinën e pasurisë së vënë ishin shumica e zyrtarëve të lartë, nga ministra,deputetë dhe zyrtarë të të gjitha rangjeve. Problemi më i madh, sipas Llallës ishte transferimi i pasurisë në bankat jashtë vendit. Së shpejti, duke qenë në krye të Akuzës ai do të ketë të gjitha mundësitë që të nxjerrë nga sirtarët akuzat që bëri ILDKP prej vitesh për zyrtarë të lartë, ministra, deputetë, apo ambasadorë.

Zyrtarët e lartë
Në 2010 ILDKP nisi kontrollin e për deputeten e PD-së, Albana Vokshi, pas akuzave dhe dokumenteve të botuar në media për konflikt interesi me bashkëjetuesin e tij, Arjan Tartari, që ka marrë disa koncesione në sektorin e hidrokarbureve. Në gusht 2010 ILDKP nisi kontrollin e plotë për Ministren e Integrimit, znj. Majlinda Bregu, nisur nga informacionet që erdhën në institucion nëpërmjet numrit pa pagesë. Në 21 tetor 2011, ILDKP nisi hetimin administrativ për z. Genc Pollo, Ministër i Inovacionit dhe Teknologjisë së Komunikimit, pas dyshimeve të ngritura në diskutimet në Kuvendin e Shqipërisë për pasuri të padeklaruara nga ana e tij dhe të regjistruara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, sipas një akuze të bërë nga deputeti Taulant Balla në seancën plenare të datës 20.10.2011.
Në 19 Mars 2011, ILDKP bëri kallëzim penal për Sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Mjedisit, Myrvete Pazaj, për "fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë", për deklarim të rremë të shumës prej 64.000 euro si të ardhura të përfituara nga puna e djalit në Itali, për mosdeklarim të krijimit të 33% të aksioneve në shoqërinë "E.T.M" sh.a. në emër të bashkëshortit.

 Në 4 tetor 2009, sipas ILDKP-së, prokuroria pushoi procedimin penal ndaj Florian Nova, Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Hungarisë, i kallëzuar penalisht nga ky institucion për veprën penale akuzën e "Refuzimit për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurisë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë".
Zyrtari rezultoi me burim të pajustifikuar likujditetesh në shumën prej 300.000 euro, në gjendje "cash", për të cilat Nova tha se i kishte "dhuratë nga nëna dhe kursimet familjare të prindërve me deklaratë me shkrim jo noteriale".

Në 6 Korrik 2009 ILDKP konstatoi fshehje të pasurisë e deklarim të rremë nga Qazim Tepshi, ish-Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Çekisë. Tepshi nuk kishte pasqyruar 35.000 euro, të depozituar në një nga bankat e nivelit të dytë në Shqipëri. Po ashtu nuk deklaroi një transaksion bankar në shumën e 39.000 euro, e cila i është kaluar në llogarinë e tij bankare nga një person i tretë.

(ad.ti/shqiptarja.com)