TIRANE- Implementimi i strukturës së re të qeverisjes së drejtuar nga mazhoranca e re, menjëherë pas marrjes së detyrës në shtator, pritet të sjellë ndryshime rrënjësore në emërtesën e drejtorive dhe konkretisht të vetë ministrive.

Pikërisht kjo do sjellë për pasojë dhe daljen jashtë loje, sidomos në ato ministri në të cilat janë bërë ndarje apo bashkime, dhe të drejtuesve të tyre të lartë, sekretarë të përgjithshëm, drejtorë drejtorie dhe nivele të tjera të drejtimit të institucioneve të varësisë. Për shkak se ndryshon tërë emërtesa e emërimit sipas statusit të nëpunësit civil, të marrë në kohën e qeverisjes së djathtë të drejtuar nga Berisha.

Madje ky është një element që nëse përdoret do të jetë i marrë ‘mot a mot’ nga qeveria Berisha e cila erdhi në pushtet në shtator të 2005 dhe përmes të cilës pastroi tërë administratën duke sjellë njerëzit e saj më të besuar, shpeshherë dhe në kurriz të profesionalizmit. Më konkretisht janë disa ministri, si Ministria e Ekomomisë, Tregtisë dhe Energjetikës e cila ndahet në dy ministri, atë të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë e Sipërmarrjes dhe ministrinë e Energjisë e Industrisë. Ministrisë së Arsimit i shtohet Sporti, ministria e Punës bëhet e Mirëqenies dhe Rinisë, ndahet ministria e Punëve Publike, Transportit, në ministri të Transporteve e zhvillimin e Infrastrukturës dhe në Ministri të Zhvillimit Urban dhe Turizmit, duke lënë njëherësh dhe Ministrinë e Kulturës neto pa asnjë shtesë, mbetet thjeshtë Mjedisi, ndërsa Bujqësisë i shtohet dhe Zhvillimi Rural e Administrimi i Ujërave.

Pra të gjitha këto me emërtesa të reja, duke sjellë në këtë mënyrë bërjen nga e para të tërë “piramidës” së administratës, dhe për pasojë duke nxjerrë jashtë loje kryesisht të gjithë drejtuesit e mëparshëm, të cilët në bazë të ligjit do të mbahen ose lirohen nga detyra në bazë të meritës dhe profesionalizmit. Pikërisht kjo do të bëjë dhe fazën e parë të reformimit dhe të pastrimit të administratës nga militantët partiakë, për t’i hapur rrugë profesionalizmit, duke mos prekur asnjë nga nëpunësit civilë të cilitdo niveli qofshin, që plotësojnë parametrat për të punuar në administratë sipas ligjit.

Nga ana tjetër, nuk përjashtohet mundësia që referuar programit të qeverisë së re që parashikon një reformë të thellë në administratë, të aplikohen dhe kërkesat për dorëheqje. Ndonëse, është shumë e vështirë që drejtuesit e lartë të administratës të pranojnë largimin përmes dorëheqjeve, për shkak se me ligjin e vjetër s’përfitojnë listën e pritjes dhe pagesën për një vit, ndërsa me ligjin e ri humbasin përfundimisht të drejtën për të qënë në administratën publike. Por mund të ketë dhe lëvizje brenda dikasterit, me ulje në detyrë që mund të mos pranohet dhe të refuzohet, ose përmes aplikimit të përshkrimit të punës nga drejtuesit e rinj, që për gjashtë muaj sjell dhe largimin e tyre nga administrata, nëse kanë performancë të ulët.


(Shkrimi u publikua sot ne gazetën Shqiptarja.com)
Redaksia online 
(sg/shqiptarja.com)