Koronavirusi ka futur zyrtarisht në krizë futbollin shqiptar. Ditën e sotme nëpërmjet një njoftimi në faqen zyrtare federata shqiuptare e futbollit i kërkon Këshillit të Ministrave garantimin e anës financiare për të gjithë komunitetin e futbollit në Shqipëri, përmes një pakete kompensimi.
Sipas FSHF-së për shkak të ndërprerjes së aktivitetit klubet e kanë të pamundur për të paguar. Kjo si rrjedhojë e anulimit të të gjithë të ardhurave si biletat, transmetimet televizive si dhe tërheqjes së sponsorëve.
Konkretisht në njofim e FSHF-së kërkohet nga Këshilli i Ministrave që të gjithë punonjësit e përfshirë në sektorin e futbollit në vend, të përfshihen patjetër në paketën e kompensimit, si një e drejtë themelore për të garantuar mbijetesën e familjeve të tyre në këtë kohë të vështirë.
Federata thekson se në këtë periudhë ka zbatuar me përpikmëri të gjithë urdhrat e qeverisë, duke ndaluar futbollin e duke u bërë pjesë e thirrjeve sensibilizuese. Sakaq një ditë më parë presidenti i Ligës së Superligës, Edvin Libohova, konfirmoi për report tv se në emër të klubeve i ka kërkuar kryeministrit Edi Rama që që të përfshijë futbollistët dhe pjestarët e klubeve të Superligës në listën e subjektve që kompensohen nga dëmet që shkaktohen nga COVID-19.
Ndërkohë për shkak të emergjencës së koronavirusit nuk dihet ende se kur mund të rinisë kampionati.
Njoftimi i FSHF-së:
Federata Shqiptare e Futbollit i ka dërguar një letër Këshillit të Ministrave dhe i ka kërkuar garantimin e anës financiare për të gjithë komunitetin e futbollit në Shqipëri, përmes një pakete kompensimi. FSHF iu përgjigj në mënyrë të menjëhershme urdhërit nr. 132 të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale më datë 08.03.2020 duke pezulluar të gjitha aktivitetet futbollistike në vend, si dhe u kërkoi klubeve të marrin masa për mbrojtjen e shëndetit të futbollistëve dhe stafeve teknike. Njëherazi Vendimi nr.243 i Këshillit të Ministrave i datës 24.03.2020 për Shpalljen e Gjendjes së Fatkeqësisë Natyrore, ka ndaluar tërësisht punën e Federatës së Futbollit dhe të gjitha hallkave të këtij sektori në rang vendi.
Kjo situatë, ka paralizuar punën e klubeve, shkollave dhe akademive të futbollit duke i çuar ato drejt falimentit, duke lënë pa asnjë të ardhur mijëra të punësuar duke nisur nga futbollistët, trainerët dhe deri të stafet teknike. Klubet janë në pamundësi për të bërë pagesa, për shkak të ndërprerjes së të gjitha të ardhurave nga biletat, transmetimet televizive si dhe për shkak të tërheqjes së sponsorave.
Nisur nga kjo situatë, Federata e Futbollit kërkon që të gjithë punonjësit e përfshirë në sektorin e futbollit në vend, të përfshihen patjetër në paketën e kompensimit, si një e drejtë themelore për të garantuar mbijetesën e familjeve të tyre në këtë kohë të vështirë.
Federata e Futbollit i është bashkuar mesazhit të qeverisë në thirrjen ndaj qytetarëve për të qëndruar në shtëpi dhe duke ruajtur shëndetin e gjithësecilit. Këto mesazhe janë pjesë e një projekti kombëtar të FSHF për të kthyer vëmendjen ndaj fëmijëve tanë dhe për ta parë futbollin si një mjet argëtimi dhe përkujdesjeje për ta. Njëherazi, FSHF i është bashkuar fushatës së FIFA-s dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë në luftë kundër virusit COVID-19, duke e përcjellë këtë fushatë në të gjitha hallkat e botës futbollistike shqiptare.
Keta sikur po i bejne nder qeverise qe pezulluan ndeshjet... Ulni rrogat sic behet ne Itali e Spanje e mos kerkoni leke nga shteti. Tani u kujtuat per shtetin ju ? Deri dje nuk pranonit as policine per te ruajtur rendin gjate nje ndeshjeje, tani dashkeni qe shteti tju paguaje. Per cfare tju paguaje ? Cfare pune po beni ju qe duheni paguar ? Ato pagesat qe merrni nga Uefa, Fifa, klubet e futbollit shqiptar, reklamat etj, mos ti fusi Armando Duka ne xhep. Klubet e futbollit jane private e nuk jane nderrmarje prodhuese apo sherbimi ndaj nuk duhet te perfitojne asgje !
PërgjigjuLe ti paguaj federata.., dhe kjo mungonte tani, ku janë ata presidentët morra të klubeve,. Apo harrova ska me baste...
Përgjigju