Ky hap ka qenë i planifikuar që në momentin e parë të rinovimit të imazhit të FSHF-së, me një brand të ri i cili më tej i dha jetë edhe Kategorisë Superiore dhe Kupës së Shqipërisë.
Strategjia e FSHF-së për të ofruar një imazh të koordinuar dhe të integruar, të kuruar në çdo detaj ishte ajo e një “Brand Umbrella” e cila garanton në këtë drejtim koherencë dhe ngjashmëri në të gjitha simbolet e futbollit shqiptar.
Kategoria e Parë
Në logon e Kategorisë së Parë paraqitet një lidhje e fortë e elementeve kombëtare atyre të futbollit, njësoj si në logon e FSHF-se dhe atë të Superiores. Ajo përbëhet nga një mburojë me sfond të kuq dhe kontur të zi në respekt të ngjyrave tona kombëtare, në të cilën gjenden elmentët e një topi futbolli të stilizuar në lëvizje, për të dhenë një imazh dinamik. Topi është i “dekoruar” me krahët e Shqiponjës në ngjyrë të zezë dhe më poshtë gjendet emërtimi “Kategoria e Parë” dhe akronimi i FSHF-së
Kategoria e Dytë
Në logon e Kategorisë së Dytë janë ruajtur elementet stilistikë të logove dhe brand-eve që i kanë paraprirë por e gjitha paraqitet në një mënyrë më të rifreskuar dhe rinovuar në detaje dhe mënyre përpunimi të elementeve. Kështu, mburoja paraqitet me këndet e rrumbullakosura dhe me linja më të buta, kombinimi i ngjyrave i hap rrugën një sfondi gjysmë të kuq dhe gjysmë të bardhë dhe vijëzimi bardhë e zi bëhet ku dominant ne gjysmën e poshtme të logos. Emërtimi “KATEGORIA E DYTË” (me germa kapitale) është gjithashtu dominant në gjysmën e sipërme të logos ku mbi të gjejmë sërish akronimin e FSHF-së, të shoqëruar me dy yje.
Kategoria e Tretë
Në logon e Kategorisë së Tretë gjejmë më të qartë dhe më të plotë një lloj “lehtësimi” dhe rifreskimi të elementëve. Pavarësisht se janë ruajtur elementet stilistikë të logove dhe brand-eve që i kanë paraprirë, kombinimi është një rezultat mjaft i këndshëm dhe “autonom” megjithëse besnik në identitet.
Mburoja është më e ngjashme me mburojën e logos së FSHF-së, sfondi është i bardhë për ta bërë më të lirë vendosjen e elementeve të përfshirë. Konturi i mburojës është i kuq, ku topi paraqitet dominant në logo, me përpunimin bardhë e zi. Ngjyra e zezë e topit na rikthen sërish kombinimin Kuq e Zi.
Emërtimi “KATEGORIA E TRETË” (me gërma kapitale) është gjithashtu dominant në pjesën e poshtme të logos, të vendosura në një “shirit” që i mbivendoset topit dhe mburojës. Poshtë shiritit gjenden tre yje, element edhe ky simbolizues i Kategorisë së Tretë.
Redaksia Online
B.B/Shqiptarja.com