Ftohje me Berishën, Lulzim Basha 
"Protestat e opozitës i udhëheq unë"

Ftohje me Berishën, Lulzim Basha <br />
TIRANE- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi dje se do të udhëheqë protestat e opozitës në shtator dhe përgjatë gjithë vjeshtës. Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, kreu demokrat akuzoi qeverinë se ka avulluar paratë e taksapaguesve shqiptarë, duke krijuar në buxhetin e shtetit një gropë financiare prej 160 milionë dollarë, çka sipas tij ka rrënuar ekonominë dhe thelluar varfërinë. Basha tha se do të nisë një tur bashkëbisedimi dhe dialogu me shqiptarët në çdo cep të vendit, për të prekur nga afër shqetësimet e tyre të shkaktuara nga keqqeverisja. “ 

“Protesta, si mjeti më demokratik, më sublimi i demokracisë, do të përdoret plotësisht si një mjet legjitim nga Partia Demokratike, nga unë së bashku me qytetarët. Filozofia e opozitës nuk kërkon vendimmarrje formale do të ketë apo jo protesta. Partia Demokratike ka një marrëdhënie të shenjtë dhe të palëkundur me qytetarin shqiptar. Opozita është e gatshme për një betejë frontale me korrupsionin dhe me krimin, frontale me çdo çmim dhe me çdo kosto dhe pa asnjë kompromis.

Pa asnjë kompromis, pa asnjë kompromis. Ta keni 3 herë që ta ruani dhe në arkivë. Pa asnjë kompromis me krimin dhe korrupsionin. Të gjithë shqiptarët meritojnë më mirë, edhe socialistët shqiptarë meritojnë më mirë. Ky është qëndrimi im. Duke nisur nga shtatori, Partia Demokratike dhe unë personalisht do të angazhohemi në një bashkëbisedim, dialog, dëgjim, bashkëveprim me qytetarët në të gjitha formatet”, u shpreh Basha. Krahas protestave, që lideri demokrat tha se do t’i udhëheqë përgjatë gjithë stinës së ardhshme politike, njëkohësisht opozita do të shfrytëzojë edhe parlamentin për betejat e saj politike.   
 
Koalicioni
Lideri i opozitës, Lulzim Basha i është përgjigjur për herë të parë zërave që përflasin një afrim të mundshëm të tij me një nga forcat politike të mazhorancës, për bashkëqeverisje. Basha i quajti tundime mediatike që kthehen edhe në opinione publike, duke garantuar ai nuk do të bëhet pjesë e asnjë kulise politike që sipas tij ka për synim të shmang vëmendjen nga problemet reale të vendit, të shkaktuara nga keqqeverisja Rama-Meta.

“Nëse pyetja është thjeshtë një pyetje teorike cinike, a është Partia Demokratike e gatshme të bëjë një koalicion për hir të pushteteve të karrigeve, përgjigjja është e prerë: “Jo, Jo, Jo”. Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë nuk ka patur dhe nuk pranon të angazhohet në asnjë kulisë politike apo parapolitike që synon të largojë në mënyrë të dëshpëruar vëmendjen nga keqqeverisja e dyshes Rama-Meta dhe ta bëjë Partinë Demokratike, nga shpresën gjithmonë e më të madhe të shqiptarëve për zgjidhje, ta kthejë atë në një patericë të problemit. Kjo nuk ka ndodhur e s’ka për të ndodhur”, u shpreh Basha.

Ndonëse e kaluara politike e Partisë Demokratike, ka shënuar një precedent bashkëqeverisës mes të majtës dhe të djathtës, koalicioni i 2009-ës mes PD dhe LSI, Basha tha se kjo histori nuk i përket atij. 


Berisha: Nuk e di kush do t’i udhëheqë protestat
 
Lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha është shprehur më herët se protestat e ardhshme të opozitës, apo revolucionin demokratik siç preferon ta quajë ai, mund ta udhëheqë kushdo. I pyetur se, pse nuk shprehet asnjëherë për liderin e protestave të opozitës dhe Partisë Demokratike, Berisha u përgjigj shkurt se: “Ato mund t’i udhëheqë kushdo, por vetëm Sali Berisha ‘Jo’, pasi ai i ka përfunduar udhëheqjet e veta”. 

Ky qëndrim i ish kryeministrit u komentua si mungesë besimi jo vetëm tek kryetari demokrat, Basha, i cili për hir të së vërtetës e ka mbajtur mjaftueshëm në këmbë opozitën, duke i shndërruar protestat në formën e parë të reagimit, njësoj me debatet parlamentare, por edhe ndaj emrave në tërësi që përbëjnë sot opozitën shqiptare. “Mendoj se cilido mund të jetë lider i “revolucionit demokratik”, përveç Sali Berishës. Kjo është përgjigja ime. Cilido mund të jetë përveç Sali Berishës, i cili i ka përfunduar udhëheqjet e veta”, u shpreh Berisha.

Por, qëndrimi i djeshëm i kryetari demokrat, Lulzim Basha dhe marrja e përgjegjësisë për aksionet e ardhshme politike të opozitës, me kryefjalë dialogun me qytetarët dhe protestat masive kundër varfërisë, korrupsionit dhe kriminalizimit, tregon se lideri i “revolucionit demokratik” do të jetë ai.  
 
Askush s’e ka mbyllur karrierën politike me 21 Qershor
Kryetari i PD, Lulzim Basha tha dje se figurat e PD që humbën në 21 qershor, do të jenë pjesës e platformës së demokratëve për sfidat e ardhshme elektorale. Sipas tij, karriera politike e ish kandidatëve të PD, nuk është mbyllur në 21 qershor, por ajo do të shërbejë si një përvojë reale për ta vënë atë në funksion të PD.

“Potencialet e jashtëzakonshme të Partisë Demokratike që u angazhuan ose si kandidatë ose me detyra të tjera në fushatën e kaluar elektorale, sigurisht nuk e kanë mbyllur karrierën e tyre politike me 21 Qershor. Përkundrazi, kanë fituar një përvojë të çmuar të cilën nëqoftëse janë të gatshëm ta vendosin në funksion të Partisë Demokratike, unë kam vullnetin e dëshirën dhe inkurajimin e plotë që të vazhdojnë të jenë asete të çmuara të rrugëtimit të Partisë Demokratike drejt rikthimit si forca që ka besimin më të madh me votë të shqiptarëve”, tha Basha.

Ndër figurat kryesore të Partisë Demokratike që pritet të rikthehet në nivelet e larta drejtuese të selisë blu, është ish ministri i Shëndetësisë, Halim Kosova, i cili në 21 qershor humbi garën për Tiranën përballë rivalit të majtë, Erion Veliaj. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 13 Gusht 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Gjithë ditën reshje shiu...në darkë rrebeshe, parashikimi i motit për sot

Gjithë ditën reshje shiu...në darkë rrebeshe, parashikimi i motit për sot