Stefano Gabbana ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i Dolce&Gabbana, markës së krijuar në vitin 1985 së bashku me ish-partnerin e krijimtarisë dhe jetës, Domenico Dolce. U raportua mbrëmjen e së enjtes nga Bloomberg, por në fakt dorëheqja e Gabbanas daton që nga dhjetori i vitit 2025. Roli i tij në presidencë i është besuar Alfonso Dolces, tashmë CEO i markës dhe vëllai i Domenicos.
Ai ishte emëruar në këtë detyrë në janarin e kaluar, por edhe ky ndryshim ishte mbajtur i fshehtë dhe u bë publik vetëm dje. Largimi i Gabbanas nga presidenca e markës shton peshë në një moment jo të qetë për shtëpinë e modës. Bloomberg kishte raportuar disa javë më parë për situatën financiare jo të mirë të markës, e cila kishte nisur negociata të reja me bankat kreditore për të përballuar një borxh prej 450 milionë eurosh.
Gabbana po shqyrton disa opsione për mënyrën se si të menaxhojë pjesën e tij të pronësisë, që përbën 40% të kapitalit të shoqërisë; mes tyre mund të jetë edhe shitja e aksioneve të tij. Një pjesë të barabartë zotëron edhe Domenico Dolce, ndërsa pjesa tjetër e kapitalit është e ndarë mes familjes Dolce: Alfonso, Domenico dhe Dorotea.
Po ashtu, pak ditë më parë kishte dalë një tjetër lajm i papritur lidhur me markën,: njoftimi për afrimin e Stefano Cantinos në ekipin e kompanisë, pa u specifikuar roli i tij strategjik. Cantino, ish-CEO i Guccit, ku kishte punuar për nëntë muaj, pritej të merrte një post operativ, me mundësinë që të ishte në rolin e shefit ekzekutiv përkrah Alfonso Dolces, gjë që nënkupton një riorganizim të mundshëm në drejtimin e kompanisë.
Dalja e fundit publike e stilistëve së bashku daton në shkurt, në fund të sfilatës së koleksionit të grave gjatë Milano Fashion Ëeek. Të buzëqeshur, Stefano dhe Domenico u shfaqën në përfundim të shfaqjes dhe me emocion zbritën nga pasarela për të përshëndetur të ftuarën e tyre të nderit, Madonnan, e ulur në rreshtin e parë pranë Anna Ëintour. Po atë mbrëmje, një festë ekskluzive u organizua në nder të saj, e cila është gjithashtu ambasadore e njohur e The One, aromës më të re të prezantuar nga marka. Por edhe në atë rast, asgjë nuk ishte publikuar.
Në muajt e fundit kishte ngritur pikëpyetje në botën e modës mungesa e Gabbanas në disa sfilata në Romë, si dhe fakti që stilisti kishte vendosur të zhvendosej në Dubai duke lënë Milanon, por kjo dukej si zgjedhje e përkohshme. Në javët e ardhshme pritet të shihet trajektorja e re e shtëpisë së modës./Corriere della Sera
Komente