45 ton ndihma ushqimore janë dërguar ditën e sotme për bashkitë e qarkut Shkodër nga fondacioni “Fundjava Ndryshe” në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes për t'i ardhur në ndihmë personave në nevojë dhe të moshuarve në këtë situatë të vështirë që po kalon vendi ynë si pasojë e koronavirusit.
Pakot ushqimore do të shpërndahen në të gjitha njësitë njësit administrative që përfshin qarku i Shkodrës. Ka qenë vetë ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka dhe themeluesi i fondacionit "Fundjava ndryshe" Arbër Hajdari që kanë shpërndarë pakot ushqimore.
"Falenderojmë Arbërin dhe "Fundjava Ndryshe" për këtë ndihmë të jashtëzakonshme që ka ofruar, për punën kolosale. Ne kemi bërë të mundur që deri më tani t'i vijmë në ndihmë 186 mijë qytetarëve dhe familjeve në nevoje. Po bëjmë të pamundurën që t'i vijmë në ndihmë atyre që kane nevojë për këdo dhe në çdo kohë. Ka një paketë financiare që do dyfishojmë pagesën përfituesve të ndihmës ekonomike, por edhe një fond për t'i ardhur në ndihmë atyre që kane nevojë" tha Olta Xhaçka.
"Kemi ardhur në qarkun e Shkodrës, në një koordinim me të gjithë bashkitë por edhe me Ministrinë e Mbrojtjes, e cila është drejtuesi i projektit humanitar. Sot kemi sjellë rreth 45 ton ndihma të cilat do të ndahen në të gjitha bashkitë e Shkodrës", tha Arbër Hajdari.
Kjo është hera e parë që në qarkun e Shkodrës ndahet një sasi e tillë ushqimesh për familjet në nevojë që prej përhapjes së koronavirusit, një muaj më parë. Ndërkohë Ministria e Mbrojtjes ka bërë rialokimin e fondit prej 830 mijë eurosh për shpërndarjen e ndihmave për 35 mijë familje të cilët janë në vështirësi ekonomike për shkak të pandemisë që ka përfshirë vendin.