Fundvit me gazetarët, Rama: 
Do të mbetem kavia juaj 
Berisha: Darkë funebre

Fundvit me gazetarët, Rama: <br />Do të mbetem kavia juaj <br />Berisha: Darkë funebre
TIRANË -  Ky fundvit ka shërbyer për kryeministrin Edi Rama që të njihet me lajmet që janë shkruar për punën e qeverisë gjatë 2015-ës, e veçanërisht për vetë atë, pasi siç tha ai - nuk lexon asnjë shkrim që bëhet për të. Në një pritje fundviti në Pallatin e Brigadave për gazetarët e medias së shkruar, audiovizive, elektronike dhe drejtuesit e tyre, kryeministri tha se ishte impresionuar nga bilanci i shkrimeve negative që i ishin bërë. Në darkën e cila u karakterizua nga ironia, shefi i qeverisë e quajti veten "lëndë të parë të prodhimeve të gazetarëve" të cilët tha se e kanë trajtuar si kavie.

rama me gazetaret

Duke cituar akuza nga shkrimet që i janë bërë në një vit, kreu i qeverisë u shpreh se është i ndërgjegjshëm se edhe gjatë 2016-ës do të bëhet "copë e çikë" nga media dhe se do të vijojë t'i japë arsye gazetarëve për të "pasuruar librin e shënimeve të tyre me gjetje të reja".

Për të çtensionuar situatën e ngushëllimeve siç ju referua ironive thumbuese që gazetari Lutfi Dervishi adresoi në drejtim të qeverisë dhe pronarëve të mediave, Rama e mbylli fjalën e tij me një urim për më shumë buzëqeshje dhe një vit të ri të mbarë.

Kritikave të Dervishit për daljet e shpeshta në media dhe fjalimet e gjata, Rama ju përgjigj indirekt me një fjalë të shkurtër para përfaqësuesve të medias.

Fjala e kryeministrit Edi Rama
Si fillim doja që t’ju kërkoja një duartrokitje për Endri Fugën, për 3 arsye. E para sepse hoqi picirin duke kërkuar folësit. Njëri i thoshte se nuk flas, se po fola do më shajë Fatos Lubonja, por do jem; Tjetri i thoshte nuk flas, se nuk e di kush do flasë tjetër, por nuk do jem dhe një tjetër i tha nuk flas, se po fola do i them të gjitha. Besoj se arsyeja e dytë meriton edhe kjo një pjesë të duartrokitjeve që ju i dhatë, sepse hoqi picirin se kush nuk donte të ulej me kë. Lutfiu me të drejtë tha që me protokollin e me të gjitha, unë përgjithësisht merrem vetë, por këtë herë, siç e shihni, jeni ulur pa protokoll, se numri i njerëzve që s’donin të uleshin me tjetrin ishte impresionues. E treta, sepse Fuga parashikoi që asnjëri nga folësit nuk do pritej me dashamirësi dhe nuk do duartrokitej. Edhe kjo ndodhi. Kështu që, ju njeh shumë mirë.

Ndërkohë po përpiqem edhe unë të them disa fjalë të shkruara, me shpresën se atmosfera e “ngushëllimeve” do të thyhet. Në fund të fundit po mbaron një tjetër vit së bashku, në të njëjtin vend, në të njëjtin qytet, në të njëjtin kremtim të fundvitit, ku njësoj si një vit më parë jemi mbledhur për të njëjtën arsye. Mua më takon si mikpritësi juaj t’ju sajdis me të njëjtin respekt të posaçëm, jo vetëm përmes gostisë së përgatitur me po të njëjtin kujdes të madh në nderin tuaj, por edhe përmes kësaj fjale përshëndetëse, të shkruar me të njëjtën dëshirë si një vit më parë.

 Kjo e fundit, e njëjta dëshirë, është sa e mirë, aq dhe e keqe në këtë marrëdhënien tonë dhe ju e dini këtë më mirë se unë dhe për dreq, mu aty ku është e mira, është edhe e keqja. Sepse mua nuk më harrohet dot që dikur kam qenë mes jush, jo gazetar, - Zoti na ruajt të isha edhe unë gazetar si ju, - por shkrimtar faqesh të shtypit të shkruar, kundërshtar me qeverinë dhe kujtesa kryeneçe e asaj kohe më ka bërë nganjëherë gjatë viteve të harroj se megjithëse jam përsëri mes jush, ka kohë që nuk është si më parë.

 Unë jam mes jush, tanimë, si kavia kryesore e punës suaj, që duhet të pranoj pa u ndjerë bisturitë, thikat, gërshërët, gjilpërat, turjelat, frezat, sharrat, daltat, çekiçët, acidet, zorrët me presion të lartë e me radhë. Prandaj dhe në fakt e kam bërë një zgjedhje të palavdërueshme, për të mos ju lexuar dhe dëgjuar thuajse fare drejtpërdrejtë, duke u mjaftuar me përmbledhjen njëfaqëshe të zyrës së shtypit, çdo mëngjes.

Nuk funksionon gjithnjë për hir të së vërtetës, sepse ndodh ndonjëherë, rrallë, por ndodh, që edhe të lexoj ndonjë gjë të veçantë që ma sugjeron dikush apo dikush tjetër. Por përgjithësisht është kështu dhe besoj se edhe ju jeni shumë rehat, sepse pushteti “nuk ju flet në dorë”, kur i thonë fjalës dhe dora ju bën gjithçka që ju do mendja dhe zemra. Por edhe unë, t’ju them të drejtën, nuk jam keq, sepse kështu as më lëndohet sqima e shkronjëtarit të dikurshëm të faqeve të shtypit, as më cenohet shija e konsumatorit të zellshëm të fjalës së shkruar me sqimë. Kësisoj ia kursej vetes dhe po jua kursej edhe juve, çdo shfaqje lëndimi që për ju s’mund të jetë tjetër, përveçse kërcitja e dhëmbëve të pushtetit kundër lirisë tuaj për të më trajtuar mua si kavie dhe të drejtës tuaj për të nxjerrë çdo konkluzion, sado arbitrar, që t’ju dëshirojë zemra, mendja apo sponsorët e eksperimenteve tuaja, ose të tria këto sëbashku e të tjera akoma me radhë.

Mirëpo sonte s’kisha si i ikja të mirës së keqe dhe i kërkova zyrës së shtypit që të më ndihmonte për këtë fjalë, me një përmbledhje të punës suaj njëvjeçare, me mua si lëndë e parë e prodhimeve tuaja. 

E vërtetë u mahnita. Uau! Sa shumë mund ishte derdhur këtë vit, për të më bërë copa e cika dhe për të nxjerrë nga çdo copë e nga çdo çikë, konkluzione fundore për idealet e mia inekzistente, qëllimet e mia infantile, dëshirat e mia të cekëta, synimet e mia të zymta, deformimet, komplekset, fanepsjet, frikërat, halat në syrin tim, gjëmimet në veshët e mi, ngacmimet në hundën time, të fshehtat në gjak, në bark, në mushkëri, madje edhe në bisht. E shumë analiza, diagnoza, prognoza në vetëm në një vit, ku t’ju them të drejtën, pa qenë edhe vetë i vetëdijshëm, kam mbretëruar, sunduar, shtypur, grabitur, djegur, shkatërruar dhe oh, ç’qejf, o qejf! kam bërë me sejmenë teveqelë, bufonë, klounë, akrobatë, valltarë, rreth zjarrit të madh të ferrit që e ushqej me trupat e të varfërve. E shumë fjalë që ishin thurur pa pushim, një vit rresht, për të provuar me këmbëngulje sesa i telendisur, i kapur, i korruptuar, i pafuqishëm, - madje, të gjitha këto janë citime, prandaj më falni, - i menderosur qenkam, fraxhil dhe i shantazhueshëm deri në atë farë dhimbjeje, sa s’kam ç’i bëj gomarit dhe i bie samarit, në një përpjekje të kotë për të blerë kohë, në ndërkohën që fati im qenka i shkruar si mos më keq. 

Aq shumë larg që ju kishte çuar disave ndër ju këtu, përkushtimi për të vërtetën, që të arrini të zbuloni se dëshpërimi im për pushtet ka kapërcyer kufijtë e çdo imagjinate dhe i bashkuar me dëshpërimin tim prej artisti të dështuar ka krijuar një frankeshtain që po mbyt Shqipërinë me terror taksash e gjobash, i cili po i jep qyteteve tona konturet e çuditshme të shtëpisë sime në Surrel, ku ka një fakt tronditës, që edhe i vetëm mjafton për të kuptuar sesa i rrezikshëm është vizioni im: Shtëpia ime nuk ka dritare!

U mahnita sinqerisht për çka lexova, duke u përgatitur për këtë fjalë dhe s’ka rëndësi nëse autorët që pata rastin të lexoj, nuk do ta besojnë që unë sinqerisht u mahnita. Dua sinqerisht t’i falenderoj për këtë luftë fjalësh pa kufi që kanë bërë, në një përpjekje njëvjeçare që do të kishte bërë këdo, - më besoni, - të ndjehej i privilegjuar, për të më bërë copa e çika e për të më nxjerrë nga çdo copë e çdo çikë, një provë therëse të asaj që unë jam dhe të gjithë njerëzit duhet ta marrin vesh një orë e më parë, përpara se të jetë vonë.

E unë do të vazhdoj me stoicizëm të mbetem kavia juaj kryesore, duke pritur me kërshëri të madhe fundin e viti tjetër, për të lexuar gjetjet e vitit që vjen. Jam shumë kurioz se çfarë ka mbetur pa thënë. Me siguri, shumë gjëra të tjera do të dalin në këtë kërkim shumë impresionues në të gjitha të thellat e skutat e qenies sime dhe do të mundohem t’ju jap arsye të reja që të bëni analiza të reja, të gjeni diagnoza të reja, të nxirrni konkluzione të reja dhe të pasqyroni me gjetje të reja, librin e shënimeve tuaja. Por edhe në mos mundsha unë t’ju gjendem me të reja, tanimë është e provuar botërisht se jeni kaq thellë brenda meje dhe i zbuloni kaq symbyllas, të gjitha paramendimet dhe prapamendimet, madje përpara se ato të më vijnë, apo të më qëndrojmë mbas mendimeve, sa jam i bindur që do t’i gjeni vetë.

Nga ana tjetër, i kërkoj ndjesë të gjithë atyre ndër ju që nuk janë marrë shumë me mua, që vëmendjen kryesore në këtë fjalë ma morën ata që aq shumë janë marrë me mua. S’desha të bëj një fjalë të gjatë nga ato zakonshmet, që ju i keni aq shumë problem, por në fakt, aq shumë merreni me to, saqë është e vetvetishme pyetja se çfarë do të bënit, sikur ato mos ishin.

Sinqerisht nuk keni faj, sidomos ato që kanë hyrë aq thellë brenda meje dhe kanë parë kaq shumë gjëra në brendinë time, saqë nuk kanë nevojë më as të shohin, as të dëgjojnë, as të dinë se ku jam, çfarë po bëj, sepse janë në gjendje t’i marrin me mend të gjitha këto, me një saktësi që e tejkalon realitetin.

 E gjithsesi përtej të gjithës dhe të gjithave, prapë një gjë mbetet, - besoj unë, - më e rëndësishmja për t’u thënë nga lartësia e një detyre që më ka mësuar diçka, që ju ndoshta nuk keni pasur kohë ta zbulonit, ose mbase në përpjekjen për t’i bërë gjithë këto zbulime, ju është bërë e pamundur që të zbulonit një gjë shumë të thjeshtë; që përkohshmëria jonë në këtë botë është kaq e shpejtë, sa që sinqerisht nuk ka asnjë kuptim që të jetojmë duke harruar të qeshim me njeri-tjetrin dhe t’i buzëqeshim njëri-tjetrit, sa më shumë.

Duke  e mbyllur, dua t’ju them me shumë sinqeritet që ju uroj çdo të mirë të gjithëve, sepse përtej gjithë asaj që bëjmë gjatë ditës, e vërteta më e thjeshtë mbetet fakti se një ditë tjetër ikën, një muaj tjetër ikën, një vit tjetër ikën, vite të tjera ikin. Koha kalon me shumë shpejtësi, për t’u humbur vetëm me gjëra që i marrim ndonjëherë më shumë seriozisht seç duhet dhe duke harruar që t’i buzëqeshim njëri-tjetrit. E di që për një njeri të destrukturuar deri në atë pikë sa thashë, tingëllon pak e vështirë për t’u besuar që unë kam dëshirë t’ju shikoj të gjithëve të buzëqeshur, por të jeni të sigurt që është një dëshirë shumë e sinqertë, që buron nga arsye të mirëmenduara, të cilat më mirë t’i lëmë për vitin tjetër.

Gëzuar të gjithëve!

Paçi shëndet!

Paçi sukses!

Mbi të gjitha paçi sa më shumë gëzime dhe lajme të gëzuara! Se për lajmet e pagëzuara kujdeseni vete nga mëngjesi deri në darkë.  


 Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit