TIRANË, 13 Shtator/ATSH/- Ambasada amerikane ka akorduar çmimin "Act Now" për vajzat vullnetare në programin për zhvillimin e lidershipit dhe vendimarrjes.
Në ceremoninë përmbyllëse që u zhvillua në Shkëmbin e Kavajës, Ambasadori I SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu përgëzoi fondacionin shqiptaro-amerikan për ndihmën e dhënën në shumë projekte."
Në disa qytete si Shkodra, Berati, Korça dhe Kruja janë financuar ndërtimi i disa shëtitoreve, projektimi dhe financimi i të cilave është mundësuar nga ky fond", tha ai.
Arvizu u shpreh se "unë jam krenar që ky fond po mbështet edhe gratë dhe vajzat në vendimmarrje. Ne po shohim krenarinë dhe entuziazmin në këto gra dhe vajza. Unë e dua shumë Shqipërinë sepse ka shumë aspekte pozitive. Por ka edhe një diçka tjetër që ne e njohim si tradicionale: Burrat duhet të bëjnë disa gjëra dhe gratë disa të tjera. 
E pranishme në këtë ceremoni, Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, vlerësoi se pjesëmarrja e gruas në drejtim në të gjitha nivelet, është tregues i demokracisë së zhvilluar.
"Përfaqësimi i grave sot në poste drejtuese në Qeveri është një tregues shumë i rëndësishëm për rolin që po fiton gruaja në shoqërinë tonë", tha ministrja.
Gjermeni nënvizoi se "vajzat dhe grate duhet të mbështesin njëra-tjetrën sepse kjo mbështetje do të na bëjë më të forta, për të përballuar sfidat tona të përbashkëta dhe për të qendruar në vendin e merituar që kemi në shoqëri".
Projekti i financuar nga Fondi Amerikan i Zhvillimit, trajnoi 250 vajza për rritjen e rolit të tyre në fuqizimin e vendimarrjes dhe jetës në komunitet./a.gegvataj/