Licencat për shpërndarje dhe furnizim të gazit natyror do të kushtojnë 1 milionë lekë, ndërsa licenca për tregtim do të kushtojë 400 mijë lekë. 1 milionë lekë do të kushtojnë edhe licencat për operim në hapësirat e depozitimit si dhe në impiantet e gazit natyror.

Enti Rregullator i Energjisë ka miratuar procedurat e dhënies së licencave të operimit në sektorin e furnizimit me gaz, ku ka përcaktuar çmimet për çdo lloj licence, por edhe rastet kur kompanive u hiqet licenca.

Rregullorja i jep të drejtë Entit Rregullator të Energjisë edhe nisjen e procedurave të heqjes së licencave të operatorëve që nuk përmbushin kërkesat e përcaktuara me ligj.

Ndërkaq, Enti ka ashpërsuar ndjeshëm gjobat ndaj kompanive të furnizimit me gaz, që nuk respektojnë kushtet teknike dhe të sigurisë ndaj konsumatorëve.

Shkalla e gjobave të reja shkon nga 0.1% deri në 0.5% të të ardhurave vjetore të vitit paraardhës të subjektit që kryen shkeljet.

Me gjoba do penalizohen një seri shkeljesh, që nisin nga mosrespektimi i rregullave të cilësisë, te ato të sigurisë teknike, deri te mospublikimi i të dhënave të nevojshme për konsumatorët.


dy.b/shqiptarja.com