Furtuna u paralajmërua në gazetën Shqiptarja.com

Furtuna e arrestimeve që kanë nisur në administratën shtetërore u paralajmërua nga shefi i Antikrimit-Ekonomik Financiar Bedri Gjonaj, në një intervistë dhënë dje e botuar sot për të përditshmen më të re në treg Shqiptarja.com. Ja teksti i plotë i shkrimit të botuar.


Nga POLI HOXHA

Një furtunë e vërtetë arrestimesh dhe shoqërimesh pritet brenda këtij viti në administratën shtetërore, duke nisur në disa ministri të rëndësishme dhe deri në njësitë lokale e vendore. Antikrimi Financiar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, në bashkëpunim me prokurorinë, tashëmë kanë “kopsitur” 15 dosje dhe shumë shpejt, pritet arrestimi dhe ndjekja penale e mbi 20 zyrtarëve, mes të cilëve drejtorë, deri në nivele të larta.

Lajmi konfirmohet për “shqiptarja.com” (qe e ka botuar në edicionin e sotëm), nga shefi i Antikrimit Ekonomik-Financiar Bedri Gjonaj, i cili thekson njëkohësisht se shumë shpejt, në bashkëpunim me prokurorinë, goditja kundër korrupsionit në administratën shtetërore dhe në atë të pushtetit lokal, do ketë emra të përveçëm, deri në rang drejtor drejtorish.

Hetimet
Sipas Gjonajt, tashmë janë në përfundim e sipër hetimet për 15 çështje të rënda korrupsioni, në të cilat janë përfshirë nga zyrtarë “të vegjël” deri në drejtorë të mëdhenj, në ministri të ndryshme. Kreu i antikrimit financiar, pohon se goditje të korrupsionit, do të ketë veçanërisht në disa ministri dhe drejtori rajonale, si dhe në struktura të pushtetit lokal dhe vendor.

Një pjesë e mirë e çështjeve korruptive që së bashku me prokurorinë janë në mbyllje të hetimit, u përkasin ministrive të Shëndetësisë dhe asaj të Arsimit. Për mjaft emra të rëndësishëm, priten vetëm urdhër-arreste nga ana e gjykatës.
Bëhet fjalë për vepra penale si, marrje rryshfetes, abuzime të rënda me detyrën, mitmarrje etj. Mësohet se gjatë hetimeve, janë përdorur në rrugë operative metoda speciale të investigimit, si përgjimet dhe filmimet e zyrtarëve të denoncuar për korrupsion. Gjonaj pohon, se tashmë goditja e korrupsionit, ka kaluar nga nivelet e ulta, në ato mesatare dhe më të larta, deri në rangje drejtorësh “të mëdhenj”.
Synimi i tyre, është që efektshmëria e luftës të rritet, të paktën 10% në krahasim me vitin e kaluar.

Goditjet
“Detyrat e shtëpisë” që Bashkimi Europian i ka dhënë vendit tonë, si kusht të panegociueshëm për pranimin në gjirin e vet, duket se janë kuptuar dhe marrë me seriozitetin më të lartë për pjesën që u takon, në stafin e Sektorit Kundër Krimit Ekonomik-Financiar, në Drejtorinë e Policisë së kryeqytetit. Investigimi dhe goditja e korrupsionit në administratë, në të gjitha nivelet, është kthyer në prioritet veçanërisht për specialistët e antikorrupsionit. Kështu vetëm për periudhën Janar-Tetor të këtij viti, janë evidentuar dhe çuar në prokurorinë e kryeqytetit, 159 vepra penale që kanë të bëjnë me këtë krim. Janë zbuluar dhe ndjekur penalisht 245 autorë, nga të cilët 36 janë arrestuar, kurse të tjerët po ndiqen në gjendje të lirë.

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit