Fushata, Berisha: Meta do
karrigen time ose të Ramës

GJIROKASTER -  Kryeministri Sali Berisha i ka përshëndetur sot në greqisht banorët minoritarë të Koshovicës, në Dropullin e Sipërm, ku gjendej sot paradite për të marrë pjesë në inaugurimin e rrugës Llongo-Koshovicë, e cila lidh Qendrën e Llongos me Koshovicën.

“Efkaristopoli! Shumë vite më parë përpiqesha të mësoja greqishten, me mikun tim Jasni Rafti. Ishim miq të shkëlqyer, por nuk u bë kurrë mësues i mirë i Berishës, sepse sot do t'ju kisha folur greqisht”- u tha Berisha banorëve të Koshovicës në fillim.

META DËSHIRON TË MARRË OSE KREUN E PS-SË OSE KARRIGEN TIME

Berisha sulmoi Ramën dhe Metën, madje Metës i tha se tenton të marrë ose karrigen e kreut PS-së ose të kryeministrit. “Çdo gjë janë po opozitarë nuk janë. Rama ka qenë personi i dytë më i rëndësishëm në fuqinë ekzekutive të vendit, kryetar i Bashkisë së Tiranës. Meta ishte 4 vjet zv/kryeministër. Por ai synon ose të marrë kreun e PS-së, ose të marrë karrigen time, të cilën nuk do ta marrë dot kurrë."- tha Berisha.

BERISHA: DULE PAZARXHI, VOTONI KSERËN

Berisha ka sulmuar edhe krerët e PBDNJ, si Dule, Jani, Naçi. "Dule është pazarxhi. Jani u nxor nga komisioni, pastaj sollën Naçin. Naçi e ka mendjen te nafta e jo te minoritarët. Vangjel Tavon, Rama e futi në listën e zezë. "Tavo, Luan Rama, sakën se mund të kandidojë në listat e PS-së", citoi Ramën, Berisha. Duke propozuar më pas se minoritarët kanë një birin e tyre, që në mënyrë absolute ka mbetur avokat i pamposhtuar i të drejtave tuaja, ky është ministri Ksera. Thirrja ime më miqësore është, të votoni Spiro Kserën, promotori i të gjitha projekteve në zonën e minoritetit." Është deputet që trajton dhimbjet, hallet e qytetarëve, ka vlerësim për punën e tij, i respektuar kudo", theksoi Berisha.

TË DHËNAT TEKNIKE TË RRUGËS LLONGO-KOSHOVICË

Rruga Llongo Koshovicë lidh Qendrën e Llongos me Koshovicënnë Dropullin e Sipërm. Është 5,3 km e gjatë, 3,5 m e gjerë, iu vlen 1150 banorëve të zonës. Rruga është një projekt i realizuar nga OFID dhe Qeveria Shqiptare dhe ka kushtuar 85,367,592 lekë. Punimet për këtë rrugë nisën në shtator 2011 dhe zgjatën deri në maj 2013.

Gjithashtu pjesë e ketij investimi ka qenë një segment prej 270 m, që lidh fshatin Koshovicë me pikën kufitare me Greqinë duke ditur që në perspektivë do të ketë një pikë kufitare palën greke. Rruga përpara investimit ka qenë shumë e vështirë për t’u kaluar. Ajo ka qenë shumë e ngushtë pa vepra arti, kanale kulluese shtresa rruge etj. Gjatë stinës së dimrit rruga dilte pothuajse plotësisht jashtë funksionimit

Rruga pas rikonstruksionit është e pajisur me të gjithë infrastrukturën e nevojshme inxhinierike me shtresat asfaltike, veprat e artit, muret mbajtës dhe pritesh, bordura bankinat anesore, si dhe sinjalistika horizontale dhe vertikale. Pjesë e këtij investimi kanë qenë edhe rikonstruksioni dhe zgjerimi i tre urave të vogla që ndodhen në aksin e rrugës.

Kjo rrugë përbën një tjetër investim të FSHZH-së në zonën e minoritetit. Meqenëse shumica e banorëve të zonës punojnë në zonën kufitare me Janinën rruga e re do te lehtësojë dhe shkurtojë lëvizjen e tyre në drejtim të të punës dhe shtëpive të tyre. Rruga do të përdoret njëkohësisht edhe për promovimin e turizmit malor në këtë zonë, e cila është e njohur për burimet e shumta ujore dhe pyje masive drurësh.

MINORITARË, APLIKONI PËR GRANTE, MOS LINI TOKAT DJERRË

Berisha u bëri thirrje minoritarëve të aplikojnë për grante për fermat e tyre. “Do vlerësoja shumë aplikimin tuaj për projekte, që t’ju mbështesim me grante. Shumë bij tuajt punojnë në Greqi. Ju bëj thirrje të vijnë të aplikojnë e mos lënë asnjë pëllëmëbë tokë djerrë. Do bëjmë shumë për vaditjen, që të rrisim prodhimin dhe krijojmë vende pune dhe begatohemi”, u premtoi atyre Berisha. Ai më tej ka shtuar se “do të bëjë gjithçka, që të drejtat si minoritarë të plotësohen”. Berisha ka bërë të ditur se qeveria kaloi vendimin për librat. “Pavarësisht nga kostoja e tyre, fëmijët tuaj do kenë librat më të mirë”, tha kryeministri.


Redaksia Online
(sg/mag/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Mars, 08:44

    Zgjedhjet e 11 majit, cila listë e kandidatëve iu bind më shumë?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Pepolit/ Rama merr mandatin e katërt më 11 maj me 50.5% të votave! Berisha me aleatët forcë e dytë, por me rënie! Lapaj renditet i treti

Sondazhi i Pepolit/ Rama merr mandatin e katërt më 11 maj me 50.5% të votave! Berisha me aleatët forcë e dytë, por me rënie! Lapaj renditet i treti