Si rrallë ndonjëherë, në këtë fushatë elektorale, zëri i Lulzim Bashës është i vetmi në shkretëtirën e opozitës shqiptare.
Është i tillë për tre arsye. Së pari, rreth 25 figura me peshë të Partisë Demokratike, të përjashtuar nga lista e kandidatëve për deputetë, kanë braktisur fushatën e drejtuar nga Lulzim Basha për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit, ndërsa po presin në heshtje humbjen e kryetarit, për të kërkuar rrëzimin e tij. Së dyti, disa kandidatë për deputetë, përfshirë edhe kryetarët e partive aleate, nuk janë angazhuar plotësisht në fushatë, për shkak se ata, meqenëse janë pjesë e listës së fituese, pra e kanë siguruar mandatin e deputetit, nuk janë të motivuar.
Së treti, disa ish-ministra dhe deputetë, figura të konsumuara të Partisë Demokratike, po mbahen qëllimisht nga Lulzim Basha larg fushatës, për të mos kompromentuar ekipin e ri dhe imazhin që po përpiqet të krijojë. Por, braktisja e madhe e Lulzim Bashës ka ardhur nga qytetarët. Gjatë fushatës 3-javore, Partia Demokratike nuk zhvilloi qoftë edhe një miting masiv. Basha u braktis në Shkodër, Tropojë, Kukës, Dibër, Lezhë, Tiranë, Durrës dhe në të gjitha qendrat e Jugut.
Grupi i parë
Grupi i parë që ka braktisur fushatën elektorale përbëhet nga eksponentë me peshë në Partisë Demokratike, të cilëve Lulzim Basha vendosi t’u ndërpresë karrierën politike dhe parlamentare. Pjesë e këtij grupi janë Jozefina Topalli, Majlinda Bregu, Eduard Selami, Ridvan Bode, Astrit Patozi, Arben Imami, Keltis Kruja, Kastriot Islami, Myqerem Tafaj, Genc Ruli etj. Bregu dhe Selami morën pjesë vetëm në mitingun e mbylljes së fushatës. Gjithashtu, në këtë fushatë, për të maksimalizuar energjitë politike të Partisë Demokratike, nuk janë aktivizuar edhe disa figura të tjera, të cilat u përjashtuan nga lista e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 2013. Nga ky grup, Lulzim Basha ka rikthyer në listën fituese vetëm Enkelejd Alibejan dhe Tritan Shehun. Konkretisht, nuk janë angazhuar në këtë fushatë ose të paktën publikisht, Ilir Rusmali, Ferdinad Xhaferraj, Fatos Hoxha, Mark Marku, Jemin Gjana, Viktor Gumi, Osman Metalla,Selami Xhepa, Adriana Gjonaj, Arenca Trashani, Paulina Hoti, Rajmonda Bulku, Lajla Përnaska etj. Janë rreth 50 ish-deputetë dhe deputetë, të përjashtuar nga listat e kandidatëve në zgjedhjet e 2013 dhe në zgjedhjet parlamentare të 2017.
Grupi i dytë dhe i tretë
Lideri historik, Sali Berisha, ndonëse pjesë e listës fituese të kandidatëve për deputetë në Qarkun e Tiranë, nuk është përfshirë në fushatën e drejtuar nga pasardhësi i tij, Lulzim Basha. Kjo është fushata e dytë elektorale, të cilës Sali Berisha, me vullnetin e tij apo me kërkesë të Lulzim Bashës, i qëndron larg. Berisha ka sqaruar disa herë arsyet politike për mospërfshirjen e tij në fushatë.
Po ashtu, ish-kryeministri Sali Berisha është distancuar nga listat e kandidatëve për deputetë të PD-së, duke pohuar se listat janë hartuar nga Lulzim Basha, pasi janë detyrë e tij dhe se ai nuk ka pasur asnjë rol në hartimin e tyre.
Gjithashtu, në raport me kompetencën dhe dorën e lirë për të formuar ekipin e tij, Berisha i ka kujtuar Bashës edhe përgjegjësinë që ka kryetari për rezultatin. Nga ana tjetër, edhe pse pjesë e listës fituese, po ruajnë një profil të ulët mediatik në këtë fushatë, edhe disa eksponentë të tjerë të PD, si Edi Paloka, Genc Pollo, Edmond Spaho, Aldo Bumçi, Arben Ristani etj.
Po ashtu, disa nga anëtarët e Kryesisë së PD, si Valbona Mezini, Nevila Xhindi, Besart Kadia, Ardian Turku, Jamarbër Malltezi, Endira Bushati, Laura Vorpsi etj., nuk kanë qenë aktivë gjatë fushatës. Ka edhe disa kandidatë, të cilët pasi kanë siguruar mandatin e deputetit, për shkak të renditjes në listë, nuk janë të motivuar apo janë angazhuar vetëm pjesërisht në fushatë.
Ndryshe nga fushatat e tjera, kreu i PDK, Nard Ndoka, kreu i PBDNJ Vangjel Duke dhe kreu u LZHK, Dashamir Shehi, kanë zhvilluar vetëm disa takime sporadike, për shkak se ata do të jenë pjesë e parlamentit të ri, falë renditjes në listë.
Furtuna e re në PD
Dy figura të rëndësishme të Partisë Demokratike, Arben Imami dhe Jozefina Topalli, disa ditë më parë, kërkuan mbledhjen e forumeve të larta të partisë për të shkarkuar kryetarin Lulzim Basha, me argumentin se ka shkelur Statutin e PD, gjatë projektimit, hartimit dhe shpalljes së listës së kandidatëve për deputetë. Megjithatë, pas reagimeve të ditëve të para, të përjashtuarit nga lista ndërprenë sulmet, për të pritur rezultatin e zgjedhjeve. Nëse Lulzim Basha i humbet zgjedhjet, përpos të tjerave, ai duhet të përballet me një sulm të ri të gardës së vjetër, e cila pritet të kërkojë shkrimin e kryetarit.
Të përjashtuarit nga Lulzim Basha në 2017
Jozefina Topalli
Majlinda Bregu
Eduard Selami
Ridvan Bode
Astrit Patozi
Arben Imami
Keltis Kruja
Enno Bozdo
Asllan Dogjani
Kastriot Islami
Myqerem Tafaj
Bedri Hoxha
Roland Keta
Igli Cara
Kozma Dashi
Bedri Mihaj
Arbiola Halimi
Genc Ruli (nuk kandidoi vetë)
Eleina Qirici
Gjergji Papa
Mimoza Hajdarmataj
Albina Deda
Gjovalin Bzhetaj
Irma Kopliku
Liljana Elmazi
Të përjashtuarit nga Sali Berisha në 2013
Ilir Rusmali
Ferdinad Xhaferraj
Fatos Hoxha
Leonard Demi
Mark Marku
Jemin Gjana
Viktor Gumi
Osman Metalla
Selami Xhepa
Adriana Gjonaj
Arenca Trashani
Astrit Bushati
Vath Tabaku
Fatbardh Kadilli
Fatos Beja
Gjok Uldedaj
Ramiz Çobaj
Ndriçim Babasi
Ilir Bano
Kreshnik Çipi
Lajla Përnaska
Ledina Aliolli
Luan Skuqi
Paulina Hoti
Rajmonda Bulku
Rrahim Çota
Sybi Hida
Vasillaq Ngresi
Ylli Lama
Koço Barka
Aurel Bylykbashi
Mehmet Xheka
Ismail Hoxha
Rajmond Hoxha
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com