Gjatë fushatës elektorale për bashkinë e Tiranës, kandidati i PD-së, Lulzim Basha premtoi krijimin e një Taks-Force për punësimin, politika direkte për nxitjen e punësimit si dhe ngritjen e një sistemi bashkiak informacioni për punësimin. Sipas tij do të ndodhte një afrim i shkollave dhe universiteteve me biznesin. Bashkia do të ofronte dhe do të financonte një program stazhi, duke i afruar studentët me biznesin privat. Rreth 70% e të rinjve, që bëjnë stazhe të tilla do tu ofrohet një vend pune. Tekstualisht ai kishte premtuar: "Misioni im është hapja e 30.000 vendeve të punës, në dy vitet e ardhshëm. Vetëm ndërtimi i Unazës së Madhe dhe projektet e tjera të parkingjeve, do të krijojnë mbi 5800 vende pune".