Pas çeljes së fushatës një ditë më parë në kryeqytet, kryeministri Rama ka njoftuar një takim urgjent me kandidatët për deputetë në ambientet e Xibrakut, nesër në orën 19:00.
Mësohet se kreu i PS ka ftuar 140 kandidatët socialistë në 12 qarqet vendit, ndërsa në mesazhin drejtuar tyre thuhet se "takimi është me mjaft rëndësi".
"Në fokus do të jetë organizimi i fushatës dhe koordinimi i saj në të gjithë territorin, prandaj jeni të lutur për të qenë të pranishëm", thuhet në mesazhin drejtuar kandidatëve për deputetë.
Takimi vjen pas arritjes së paktit me opozitën nga ku u vendos edhe data e dakordësuar e zgjedhjeve, të cilat u shtyn me një javë nga 18 qershori i dekretuar fillimisht nga Presidenti i Republikës.
Rama do t'u shpërndajë kandidatëve detyrat e fundit, përpara se ata të zbresin të gjithë në terren. PS do të tentojë në 18 qershor fitoren e mandatit të dytë, pas rikthimit në pushtet në qershor të 2013-ës.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com
