Fushatës së mbjelljes së pemëve i bashkohet orkestra e RTSH, Veliaj: Japim të gjithë kontributin tonë për një Tiranë edhe më të gjelbër

Këtë herë fushatës së mbjelljeve të pemëve iu bashkua orkestra e Radio-Televizionit Publik Shqiptar. Artistët dhanë kontributin e tyre për shtimin e hapësirave të gjelbra të qytetit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se orkestra në fakt i ngjan Tiranës, ku nëse të gjithë punojnë bashkë dhe mbështesin njëri-tjetrin, qyteti është më i mirë dhe ecën përpara.

“Ne duhet të jemi të gjithë të sinkronizuar, si një skuadër, dhe duhet të luajmë të gjithë në njëjtën kohë. Nëse njëri nuk performon, atëherë e gjithë orkestra ndjen mungesën e atij instrumenti. Është një metaforë shumë e bukur me këtë që bëjmë në qytet, ku jemi një skuadër që performojmë të gjithë bashkë, dhe sigurisht që jo të gjithë janë violinë e parë. Por, kur secili jep kontributin e tij, qoftë edhe një perkusion, është kyç për gjithë atë shfaqje. Pavarësisht se disa prej nesh ndoshta e kanë detyrën të jenë violinë e parë, pra të jenë përditë me mbjellje, të jenë përditë me studentët, të jenë përditë në mbrojtje të mjedisit, edhe të tjeret e kemi bërë tonën duke lënë një shenjë për qytetin. Nëse secili e ndjen veten pjesë të kësaj orkestre dhe bën pjesën e tij, atëherë mund të kemi një simfoni të muzikës së bukur të qytetit tonë”, tha Veliaj.

Mandej, kryebashkiaku shtoi se fushata e mbjelljes do të vijojë edhe gjatë muajit prill, ndërsa i ftoi të gjithë qytetarët e Tiranës që të japin kontributin e tyre për një qytet më të gjelbër.

“Do vijojmë me mbjelljet edhe në muajin prill, për sa kohë kemi shi dhe toka është ideale si sot. Duam që ta çojmë këtë rekord deri në fund, siç ka qenë në fakt çdo vit. Duket sikur ke bërë një gjë të vogël, por kur i kthehesh jetës tënde, thua: Prit ore, se kemi bërë gjithë këto koncerte! Edhe kjo pjesa jonë, kur mbjell nja 100 e 200 pemë përditë, ndoshta mendon se është një pikë ujë në oqean, por pastaj oqeani me pika e me ujë mbushet. Tirana, gjelbërimi, oksigjeni dhe hijeshia bëhet nga këto kontribute të vogla, përditë e përditë. Nëse jeni në një lagje dhe doni të mbillni poshtë pallatit ose nëse jeni në një komunitet të madh, ku ka një park, siç është parku i Liqenit, i Farkës apo qoftë edhe tek oborri i shkollës dhe i kopshtit, secili mund të bëjë atë të voglën e vet, për “orkestrën” tonë të madhe”, tha Veliaj.

Nga Qyteti Studenti, ku orkestra e RTSH-së mbolli pemë, Veliaj tha se kjo është një hapësirë që i është rikthyer studentëve.

“Kjo ka qenë e gjitha një pjesë e zaptuar. Në atë kohë, në emër të x-partie merrej një territor publik dhe privohej një student ose një gjeneratë e tërë studentësh nga aksesi në Tiranë dhe nga mundësitë që ofron kryeqyteti. Me rastin e tërmetit patëm mundësi që të trajtonim me strehim social familjet, të liroheshin godinat, sidomos pjesët e zaptuara prej 30 vitesh, që pastaj nënkontraktoheshin e jepeshin me nën-qira, dhe më në fund kemi çliruar jo vetëm “Qytetin Studenti”, por edhe idenë se dikujt mund t’ia marrësh të ardhmen, në emër të një partie ose në emër të një force politike. Më vjen mirë që sot “Qyteti Studenti” nuk është vetëm hapësira e metrave katrorë që dikush ka në dhomën e tij, teksa vjen në Tiranë për sukses, por është edhe një mundësi e jashtëzakonshme, për të qenë pjesë e kësaj “orkestre” të qytetit, kësaj “simfonie” të madhe e të bukur që është Tirana jonë”, përfundoi Veliaj.

Dirigjenti i orkestrës së Radio-Televizionit Publik Shqiptar tha: “Shumë faleminderit që jemi sot këtu, në këtë ambient të mrekullueshëm të rinovuar. Ne si artistë duke qenë se jemi dhe më të ndjeshëm ndaj natyrës, sot përjetuam kënaqësi të veçantë.”

G.K/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Çfarë është Jubileu, sa shpesh festohet, kuptimi fetar dhe viti 2033

Çfarë është Jubileu, sa shpesh festohet, kuptimi fetar dhe viti 2033