FUSHË KRUJË- Hekuran Sefa 36 vjeç është vënë në prangat e policisë së Fushë-Krujës pasi u kap me armë zjarri me vete pa leje. 

Shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Fushë Krujë, në kuadër të kontrolleve të befasishme mbështetur me inteligjencë  informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Borizana”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë Hekuran Sefa. 36 vjeçari banues në Borizanë u arrestua, për veprën penale "Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit".

Shërbimet e Policisë, pasi kanë ndaluar automjetin me të cilin qarkullonte 36 vjeçari, kanë ushtruar kontrollit fizik ndaj  tij dhe kanë gjetur 1 armë zjarri pistoletë, me fishek në fole, gati për qitje. Pistoleta u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me municionin luftarak.  

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme procedurale.