Futbolli në 365 ditë/ Nga dështimi i Kombëtares, shkëlqimi i Kosovës, Franca kampione e botës e deri tek Modric "Topi i Artë"

Futbolli në 365 ditë/ Nga dështimi i Kombëtares, shkëlqimi i Kosovës, Franca kampione e botës e deri tek Modric

Kombëtarja shqiptare, Franca duke ngritur Kupën e Botës, kombëtarja e Kosovës në Ligën e Kombeve dhe Luka Modric kur mori Topin e Artë

Ecuria e Kombëtares dhe Kosova!

2018-ta për Kombëtaren e futbollit është një vit për t'u harruar sa më shpejt. Viti kalendarik nisi me një humbje në miqësoren me Norvegjinë në mars. Vijoi me dy humbje turpëruese në qershor ndaj Kosovës dhe Ukrainës dhe më pas erdhi dështimi në Ligën e Kombeve. Ky kompeticion nga një mundësi e artë për tu kualifikuar në Europian u kthye në makth për kuqezinjtë.

Ndeshja e kombëtares përballë Skocisë

E të mendosh që Liga e Kombeve nisi më së miri me një fitore në Elbasan 1-0 ndaj Izraelit me golin e Taulant Xhakës por vetëm kaq pasi në ndeshjet e mbetura shenja në kollonë ishte humbje. E para erdhi në shtator ndaj Skocisë 2-0 në Glasgow, vijoi në tetor po 2-0 ndaj Izraelit në Beer Sheva pavarësisht një loje të mirë dhe u mbyll në Shkodër në mënyrën më të turpshme me humbjen 0-4 me Skocinë një nga më të thellat e viteve të fundit në shtëpi. Kombëtarja e mbylli grupin C1 e fundit por nuk ra një Ligë më poshtë. Pas këtyre rezultateve më shumë se kurrë u vu në dyshim e ardhmja e Christian Panuccit. Vet italiani ishte i qartë . Më shumë se njëherë përsëriti që nuk e jep dorëheqjen ndërsa komerdarja e shpëtimit duket sikur ishte mbyllja e vitit me buzëqeshje. Shqipëria fitoi 1-0 miqësoren me Uellsin me golin e Bekim Balajt dhe u duk sikur dështimi në Ligën e Kombeve u la pas. Panucci pas këtij 90 minutëshi deklaroi se lojtarët janë më të dhe e mbështesin ndërsa edhe Presidenti Duka e konfirmoi në detyrë me objektiv “ Euro 2020”. Madje FSHF nuk u mjaftua me fjalët e shefit të saj por në një komunikatë konfirmon bashkëpunimin me italianin të paktën deri në fund të kualifikueseve të Europianit.

Megjithatë rruga për në Euro 2020 do të kalojë patjetër nga kualifikueset ku shorti në Dublin kuqezinjtë i pozicionoj në grupin H së bashku me kampionët e Botës Francën, Islandën, Turqinë, Andorën dhe Moldavinë. Kundërshtarë të vështirë por jo të pakalueshëm. Kombëtarja ka për detyrë të provoj kualifikimin dhe garën për vendin e dytë do ta zhvillojë me rivalët direkt Islandën dhe Turqinë pasi Franca do bëjë një garë më vete. Vitin Shqipëria e mbylli në vendin e 60-të në FIFA.

2018-ta ishte viti i Kosovës. Shkëlqimi më i madh i “dardanëve” ishte në Ligën e Kombeve ku Kosova e fitoi grupin D3 dhe ka një shans të artë për të shkuar në  “Euro 2020”.

Skuadra e Kosovës gjatë një ndeshjeje të vlefshme për Ligën e Kombeve

Me 4 fitore dhe 2 barazime,15 gola të shënuar ,vetëm 2 të pësuar dhe 14 pikë Kosova la pas Azerbajxhanin. Mundësia tjetër është nëpërmjet kualifikueseve të Euro 2020 ku Kosova u shortua në grupin A së bashku me Anglinë, Çekinë, Bullgarinë dhe Malin e Zi. Vitin në FIFA , Kosova e mbylli në vendin e 131-të.

Itali, dominon Juventusi!

Që prej vitit 2012 Seria A vishet bardhezi. Juventusi u shpall kampion i Italisë për vitin 2018-të dhe kthehet në legjendë duke siguruar titullin e shtatë me radhë. “Zonjës së Vjetër” i ka mjaftuar një barazim pa gola në “Olimpico”  kundër Romës në javën e 37-të  për të kurorëzuar titullin e shtatë radhazi dhe të katërtin për trajnerin Max Allegri. Një cikël i jashtëzakonshëm për Juventusin i nisur që prej vitit 2012 dhe titulli numër 34 i njohur zyrtarisht.

Skuadra e Juventus në momentin kur u shpall kampion në Seria A

Bardhezinjtë arritën dabëllin e katërt radhazi pasi më herët kishin fituar edhe Kupën e Italisë. Në finalen e luajtur në Romë , Juvja mundi pastër 4-0 Milanin dhe fitoi për herë të katërt radhazi dhe të 13-tën në histori Kupën e Italisë. Dygolëshi i Benatia, Douglas Costa dhe autogoli i Kalinic vendosën takimin final. Katër vite radhazi Kupë Italie dhe kampionat. Juventusi është legjendë.

Minuta e 61-të e ndeshjes Juventus-Verona është edhe momenti i lamtumirës së madhe. Pas 17 vitesh bardhezi dhe një mal me tituj të fituar Gianluigi Buffon legjenda e Juventuist i jep lamtumirën skuadrës bardhezi mes lotësh. Fillimisht një përqafim me shokun e shumë betejave Barzagli dhe më pas me të gjithë shokët e tjerë. Stadiumi në këmbë duartroket dhe derdh lot për një futbollist legjendar që karrierën do ta vijojë në Francë tek Psg-ja.

Largohet Buffon por Juvja do të bëjë atë që u quajt “goditja e shekullit”. Cristiano Ronaldo largohet nga Real Madrid pas 9 vitesh dhe i bashkohet bardhezinjve në Serinë A. Lajmi që qarkullonte prej ditësh bëhet zyrtar më 10 korrik 2018 në një operacion që do ti kushtonte skuadrës 105 mln euro plus pagën e majme të portugezit. Më 16 korrik CR7 prezantohet duke e cilësuar një sfidë të madhe për të dhe se ti bashkohej Juves ka qënë një zgjedhje fare e thjeshtë. Në pjesën e parë të sezonit portugezi ka arritur të lërë shenjën e tij. Ndryshim i rëndësishëm ishte ai në pankinën e Napolit gjatë verës. Maurizio Sarri u largua nga drejtimi i skuadrës dhe në pankinë u ul një emër i madh , Carlo Ancelotti.

Reali fiton Championsin dhe Botërorin e klubeve!

Champions League është trofeu i Real Madrid dhe kështu ndodhi edhe për 2018-tën. Reali u shpall kampion i Europës pasi skuadra e Zidane mposhti 3-1 në Kiev Liverpoolin duke fituar Championsin e 13-të në histori dhe të tretin radhazi. Në pjesën e parë episodi që mbahet mend është dëmtimi i Salah pas një dueli me Sergio Ramos ndërsa në pjesën e dytë erdhën dy gafat e portierit Loris Karius dhe golat e takimit. Benzema kaloi Realin në avantazh dhe Mane barazoi ndërsa më pas erdhi dygolëshi i Gareth Bale dhe Ramos ngriti sërish në qiell trofeun me vëshë të mëdhenj.

Real Madrid duke ngritur Kupën e Champion League

Më 31 maj vjen edhe surpriza e madhe. Pas dy vitesh e gjysëm në pankinën e Real Madrid  Zinedine Zidane largohet nga klubi Merengues. Në një konferencë në krah të Presidentit Perez Zidane ka deklaruar:

”Nuk do të jem më trajner i Real Madrid, skuadrës i duhet një ndryshim” sqaroi francezi. Spanjolli Julen Lopetegui e zëvendësoi por pa sukses dhe më pas në pankinë u ul Santiago Solari.

Edhe pse me një ecuri jo të mirë në kampionat në fund të vitit Los Blancos bënë sërish atë që dinë të bëjnë më mirë, të fitojnë trofe. Për të tretin vit me radhë Reali fitoi edhe Botërorin e Klubeve. Në gjysmëfinale mundën Kashiman 3-1 me një tregolësh spektakolar të Gareth Bale.

Ndërsa në finalen e madhe  Reali mposhti Al Ain 4-1 për të ngritur trofeun në qiellin e Abu Dhabit.

Luka Modric fiton “Topin e Artë”

Fundi i një epoke. Luka Modric fiton “Topin e Artë” 2018 çmimin prestigjoz individual duke i dhënë fund dominimit dhjetëvjeçar të Leo Messit dhe Cristiano Ronaldos. Kroati ishte Mbreti i mbrëmjes dhe triumfuesi i “Topit të Artë” që jepet nga revista “France Football”.

Mesfushori i Real Madrid u rendit i pari nga votat e 176 gazetarëve nga e gjithë bota duke grumbulluar 753 pikë. Pas Modric në podium u renditën Cristiano Ronaldo me thuajse gjysmën e pikëve 476 dhe Griezmann me 414 pikë. Në vendin e katërt u rendit Mbappe që fitoi edhe çmimin Kopa si i riu më i mirë ndërsa vetëm vendi i pestë për Leo Messin që ngelet jashtë podiumit për herë të parë pas 11 vitesh.

Futbollisti i Real Madrid, Luka Modric në momentin kur mori Topin e Artë

2018-ta ishte viti i Modric që rrëmbeu çdo trofe të mundshëm individual. Përpara se të fitonte “Topin e Artë” nga “France Football” ballkansi ishte zgjedhur edhe si futbollisti më i mirë nga FIFA dhe UEFA, lojtari më i mirë nga Instituti i Historisë dhe Statistikave dhe si lojtari më i mirë i Kupës së Botës. Modric fitoi Championsin me Realin dhe dërgoi Kroacinë në finalen e Kupës së Botës. Modric mëse i lumtur me “Topin e Artë” në duar tha në ceremoninë e zhvilluar në Paris.

“Është një nder dhe nuk kam fjalë ta përshkruaj këtë moment. Dua të falenderoj të gjithë të pranishmit, Real Madrid, Kombëtaren time dhe familjen. Kur je fëmijë ke ëndrra dhe e imja ishte që të luaja në një klub të madh dhe të fitoja trofe por “Topi i Artë” është maksimumi” e mbyll Modric. Besnik Dizdari ishte gazetari shqiptar që votoi për “Topin e Artë” duke i dhënë pikët maksimale francezit Griezmann dhe më pas renditja e tij vijon me Modric, Ronaldo, Messi dhe Mbappe.

Bayerni fiton titullin dhe Superkupën, Frankfurti Kupën!

Bayerni i Mynihut u konfirmua kampion i Gjermanisë. Skuadra e Jupp Heynckes fitoi 4-1 në shtëpinë e Augsburg në javën e 29-të të Bundesligës  dhe fitoi titullin numër 28-të në historinë e lavdishme dhe të gjashtin, një rekord më vete.

Skuadra e Bayern Mynich gjatë festimeve për Bundesligën

E. Frankfurt fitoi Kupën e Gjermanisë duke mposhtur Bayernin 3-1 në finalen e luajtur në Berlin. Skuadra e atij që ishte zyrtarizuar si trajner i ardhshëm i Bayernit  morri avantazhin me Rebic ndërsa barazoi Lewandowski. Megjithatë në minutat e fundit sërish Rebic dhe Gacinovic i dhanë trofeun Eintrahtit.

Në gusht kur erdhi koha për të luajtur Superkupën Niko Kovac ishte në pankinën e Bayernit dhe e nisi me trofe. Bavarezët fituan Superkupën duke mundur në finale 5-0 Frankfurtin në një takim pa shumë histori. Tregolësh realizoi Robert Lewandowski ndërsa nga një herë e tundën rrjetën Coman dhe Alcantara.

Angli, Manchester City kampion dhe trajnerët!

Manchester City e dominoi aq shumë sezonin në Premier League saqë titullin kampion e fitoi 5 ndeshje para përfundimit të kampionatit. Djemtë e Pep Guardiolës festuan përpara televizorit pasi matematikisht kampion të Anglisë për herë të pestë i bëri humbja  e United ndaj WBA. Guardiola futet në rangun e atyre trajnerëve që shpallen kampion në tre liga të ndryshme të rëndësishme Europiane. City fitoi edhe Superkupën e Anglisë ose atë që njihet si Community Shield. Në 5 gusht në “Wembley” Citiziens mposhtën 2-0 Chelsea e sarrit me dygolëshin e Sergio Agueros.

Manchester City duke ngritur kupën e Premier League

Pas 22 sezonesh Arsen Wenger u largua nga drejtimi i Arsenalit. Trajneri më jetëgjatë në historinë e Premier League la topçinjtë e Londrës duke thënë :”Jam krenar që pata nderin të punoj në këtë klub për kaq shumë vite të cilat nuk do ti harroj kurrë”. Në dhjetor u largua edhe Jose Mourinho. Trajneri portugez u shkarkuar nga drejtimi i United për shkak të rezultateve të dobëta dhe problemeve me lojtarët. Ole Gunnar Solskjaer e zëvendësoi dhe do të qëndrojë deri në fund të këtij sezoni.

Spanje, trofetë i rrëmben Barcelona!

Dabëllin e trofeve e bëri edhe Barcelona në fund të sezonit 2017-2018. Kampionat dhe Kupë Mbreti fituan Leo Messi me shokë. Katalanasit u shpallen kampionë të Spanjës për herë të 25-të në histori 4 javë nga fundi  i kampionatit kur fituan 4-2 ndaj Deportivo La Coruna në stadiumin “Riazor” . Coutinho dhe tregolëshi i Messit i dhanë fitoren dhe titullin blaugranëve. Më heret Barcelona kishte fituar edhe Kupën e Mbretit duke shkatërruar në finale Sevillan që në atë kohë drejtohej nga italiani Montella. Në “Wanda Metropolitano”  Barca dominon finalen dhe e fiton 5-0 me dygolëshin e Suarez dhe golat e Messit , Iniestes dhe Coutinhos.

Skuadra e Barcelonës

Barcelona e fitoi edhe Superkupën e Spanjës pasi në Marok mundi po  Sevillan këtë herë 2-1. Pas 22 vitesh Andres Iniesta u largua nga Barcelona për të vijuar më pas karrierën në Japoni. Mes lotësh përpara fundit të sezonit ai deklaroi : ” Ky është sezoni im i fundit këtu. Është një ditë dhe vendim i vështirë që kam marrë” ka sqaruar ikona e mesit të fushës.

PSG kampione e Frances!

Në Francë dominoi PSG-ja që u rikthye atje ku i takon në majën e futbollit transalpin. Kurorën kryeqytetasit e vunë duke poshtëruar Monacon kampionen e vitit 2017-të. Në “Parc de Prince” vendasit luajtën tenis duke e mundur Monacon 7-1 një rezultat që sanksionoj një kampionat që kishte vetëm një korsi atë të PSG-së.

Skuadra e Paris San Germain

Franca Kampione e Botes !

Në një Kupë Bote ku Italia mungonte , Gjermania u eliminua që në fazën e grupeve , Argjentina e Messit dhe Portugalia e Ronaldos që në fazën e 1/8 protagonisten e bëri Kroacia ndërsa Kupën e fitoi Franca. Gjermania u turpërua, nuk e kaloi dot as fazën e grupeve madje në ndeshjen e fundit u mposht edhe nga Koreja e Jugut. Kroacia jetoi një ëndërr që zgjati shumë dhe ishte padyshim protagonistja kryesore e Kupës së Botës. Ballkanasit arritën dhe përmirësuan “Francë 1998” por u rrëzuan tek më e bukura , në finale. Megjithatë Kroacia nënkampione bëri një Botëror për t’i hequr kapelen.

Kombëtarja franceze duke ngritur Kupën e Botës në Rusi 2018

Kupën në qiellin e Moskës e ngriti Franca. Gjelat fituan Botërorin “Rusi 2018” pasi mposhtën Kroacinë në finale 4-2. Autogoli i Mandzukic hapi serinë e golave por barazoi Perisic për skuadrën e Dalic dhe Griezmann me penallti mbylli në avantazh për Francën pjesën e parë. Mbappe dhe Pogba thelluan avantazhin në fraksionin e dytë ndërsa Mandzukic shleu fajin e autogolit duke fiksuar shifrat Francë 4 e Kroaci 2. Festa ishte e gjitha e Francës që fiton për herë të dytë në histori Kupën e Botës. Mund të jesh tifoz me Gjermaninë, Brazilin ,Italinë, Anglinë apo edhe Francën megjithatë nëse ka një ndeshje që mbarë shqiptaria do e mbajë mend nga “Rusi 2018” ajo është Zvicër-Serbi 2-1. Helvetët përmbysën serbët me golat e Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit por festimi i tyre me shqiponjë bëri xhiron e Botës dhe na bëri krenar.

Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri duke bërë simbolin e Shqiponjës në ndeshjen Zvicër-Serbi

 

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja