Një 40-vjeçar nga Korça është arrestuar nga policia, pasi gjatë seancës gjyqësore për pajisjen me urdhër mbrojtje të bashkëshortes ka fyer gjyqtarin e çështjes A. L. Në një njoftim për mediat, policia e Korçës thotë se shtetasi K. Dh., 40 vjeç, banues në fshatin Barmash, Kolonjë, ka qenë i dënuar më parë për "Dhuna në familje".
Sipas policisë, po gjatë seancës 40-vjeçari ka kanosur bashkëshorten dhe rojen e sigurisë së gjykatës.
"Gjatë seancës e cila zhvillohej në ambientet e Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për pajisjen me urdhër mbrojtje të bashkëshortes së tij shtetases S. Dh., 37 vjeçe, banuese në fshatin Bulgarec, Korçë, ky shtetas ka fyer gjyqtarin e çështjes A. L., si edhe ka kanosur me fjalë 37-vjeçaren dhe rojen e sigurisë së Gjykatës, shtetasin I. B.", thuhet në njoftimin e policisë.

Sakaq, policia e Korçës filloi procedimin penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit B. P., 43 vjeç, banues në fshatin Shtyllë, Korçë, pasi, në rrugën Korçë-Boboshticë, shërbimet e policisë kanë kapur mjetin furgon tip “Benz” në pronësi të tij, me drejtues shtetasin M. L., punonjës i cili rezultonte i paregjistruar në organet tatimore duke transportuar një sasi me dru zjarri pa faturën tatimore.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprat penale “Dhuna në familje”, “Fyerja e gjyqtarit”, “Kanosja”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Punësimi i paligjshëm”.
Ndërkohë në Pogradec, u arrestua një 39-vjeçar pasi dyshohet se ka dhunuar fizikisht në prani të fëmijës së tyre të mitur, bashkëshorten e tij, ndaj së cilës u plotësua kërkesë padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Ndërsa një 25-vjeçar u arrestua në Pogradec, pasi u kap duke drejtuar mjetin tip “Nissan”, në gjendje të dehur.
/Shqiptarja.comKomente

