Fyle në Kosovë: Keni shumë për
të bërë, zgjedhjet të jenë të lira

Fyle në Kosovë: Keni shumë për<br />të bërë, zgjedhjet të jenë të lira

PRISHTINË- Përfundimin e bisedimeve për MSA-në, vazhdimin e mandatit të EULEX-it dhe themelimin e Gjykatës Speciale, Komisioneri për zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fyle, në takim me Këshillin Kombëtarë për Integrime Evropiane, i ka vlerësuar si një hap të rëndësishëm për përparimin e Kosovës drejtë Bashkimit Evropian, duke e quajtur Gjykatën si një deklaratë të vërtetë për botën, e cila tregon se Kosova është e hapur dhe nuk ka asgjë të fshehtë dhe se nuk frikohet nga e kaluara, si dhe është një shënues i besimit të Kosovës në sundimin e ligjit.

Kosova duhet të bëjë më shumë për perspektivë të përparuar për qytetarët e saj, porosit Fyle, duke vazhduar se Kosova duhet të bëhet një vend ku njerëzit dëshirojnë të investojnë, një vend ku të rinjtë kanë perspektivë për të zhvilluar karrierën e tyre dhe ku njerëzit mund të gjejnë punë.

Nevojë urgjente, sipas komisionerit Fyle, për Kosovën është angazhimi për një program për zhvillimin socio-ekonomik për ta kthyer këtë vizion në realitet dhe thotë se MSA jep siguri për investitorët e ardhshëm.

Ai vlerëson se është shumë e rëndësishme që zgjedhjet e përgjithshme të organizohen në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe për një proces efikas.

ZGJEDHJET,FYLE: NË PËRPUTHJE ME STANDARDET EUROPIANE
“Është shumë e rëndësishme që zgjedhjet të organizohen në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe se procesi të jetë efikas dhe se çdo parregullsi duhet të shqyrtohet, dhe shpresoj se përvoja pozitive e zgjedhjeve lokale do të shërbejë si inspirim. Kur fushata dhe zgjedhjet të kenë përfunduar forcat politike duhet të bashkohen për një vizion të përbashkët për të ardhmen e Kosovës në Evropë”, deklaron komisionari Stefan Fyle.

Ndërsa presidentja Atifete Jahjaga, ka thënë se nënshkrimi i MSA-së të bëhet sa më shpejtë, duke u shprehur se Kosova nuk kërkon rrugë të shkurtër për në BE por në një vijë me perspektivën evropiane me vendet e rajonit.

Ajo kërkon të ketë intensifikim të shtuar të përpjekjeve dhe fuqizim të dialogut për viza, që ka për qëllim përmbushjen sa më të shpejtë të kritereve të përcaktuar në udhërrëfyes dhe konsideron se shtetet e BE-së, sidomos ato që nuk e njohin Kosovën të tregojnë një pragmatizëm të njëjtë për një realitet tashmë t ë pamohueshëm.

Marrëveshjet e arritura në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të zbatohen, thotë presidentja Jahjaga, dhe sipas saj, duhet të jetë kusht i rrugëtimit drejt BE-s.

 Për zgjedhjet e përgjithshme ajo thotë se duhet të dëshmojnë pjekurinë politike dhe demokratike të Kosovës.

ZGJEDHJET, JAHJAGA: DUHET TË DËSHMOJNË PJEKURINË POLITIKE
“Zgjedhjet e ardhshme parlamentare duhet të dëshmojnë pjekurinë tonë politike dhe demokratike me standardet e larta që i kemi vendosur në zgjedhjet e fundit lokale, zgjedhje të ndershme, gjithëpërfshirëse që dëshmojnë se ne jemi një shtet i ndërtuar mbi parimin qytetarë, do të fuqizojnë edhe më shumë përpjekjet tona në rrugën e integrimit evropian”, thotë Jahjaga.

Kurse kryeparlementari, Jakup Krasniqi, para Këshillit ka prezantuar punën e Kuvendit të Kosovës duke thënë se Kuvendi ka miratuar një varg dokumentesh strategjike për përkrahjen e zbatimin e synimeve dhe të objektivave politike drejtë integrimeve evropiane, ka miratuar ligjet e kërkuar nga rekomandimet e Raportit të Progresit, duke u përpjekur kështu për përmbushjen e të gjitha obligimeve.

KRASNIQI:DUHET TË PËRPAROJMË ME REFORMËN ZGJEDHORE
“Por duhet të them që kemi ngecur në reformën zgjedhore, e cila edhe pse është duke u përpunuar në komisione ende nuk është e përfunduar dhe nuk besoj që për këto zgjedhje do të jetë e përfunduar”, shprehet kryeparlamentari Krasniqi.

Që marrëveshja për MSA-në të nënshkruhet shpejtë pret edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, duke vlerësuar se priten shumë reforma dhe zbatimi i këtyre reformave nuk do të jetë i lehtë, sipas tij, do të jetë politikisht sfidues, teknikisht i vështirë dhe financiarisht kushtueshëm.

THAÇI: PJESË E DETYRIMEVE ËSHTË REFORMA ZGJEDHORE
“Gjithashtu një aspekt tjetër, pjesë e këtyre obligimeve që na përket gjithë spektrit është edhe përfundimi i reformës zgjedhore. Përveç këtyre, një aspekt i rëndësishëm do të jetë edhe adresimi i reformave në fushën e qeverisjes ekonomike, sipas porosisë së qartë të nënshkruar në strategjitë e zgjerimit të Komisionit Evropian në fund të vitit 2013”, thotë kryeministri Thaçi. /Marrë nga KosovaPress/

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike