TIRANE - Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu nuk e ka pranuar vendimin dhënë sot nga Gjykata e Lartë, e cila pushoi çështjen ndaj tij lidhur me akuzat për plagosje të rëndë nga pakujdesia në ngjarjen e Gërdecit.

Duke e cilësuar një çështje të përdorur politikisht, Mediu tha se do ta çojë deri në fund, edhe pse vepra penale për të cilën ai akuzohet është aministuar.

Nëpërmjet një deklarate për mediat, Mediu bën të ditur se mbrojtësit ligjor të tij kanë paraqitur një kërkesë përmes së cilës kërkojnë vazhdimin e gjykimit të ministrit Mediu për këtë çështje bazuar në vendimin nr.16 të vitit 2010 të Gjykatës Kushtetuese.

“Sipas këtij vendimi, i cili është i detyrueshëm për tu zbatuar nga çdo hallk e sistemit gjyqsor në Shqipëri, personi ndaj të cilit është duke u zhvilluar një gjykim penal, ka të drejtën e përfundimit të këtij shqyrtimi gjyqsor dhe marrjen e një vendimi përfundimtar edhe në rastet kur vepra penale për të cilën ai akuzohet është amnistuar”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Sipas Mediut, nga ana e tij janë bërë “të gjitha përpjekjet dhe përdorur të gjitha mjetet ligjore që ky shqyrtim të përfundonte shumë kohë më përpara edhe pse ka thuajse 2 vjet si proçes.”

“I bindur tërësisht në mungesën e përgjegjësis penale dhe qënien i pafajshmë për cdo vepër të tillë, z. Mediu dhe mbrojtësit e tij ligjor do të shfrytëzojn cdo mjet ligjor për të mundësuar shqyrtimin përfundimtar të kësaj çështje, duke shpresuar se përdorimi i ulët politik i kësaj çështje do të marrë fund një ditë”, thuhet në përfundimin të deklaratës për shtyp.

Sot Gjykta e Lartë vendosi pushimin e gjykimit të çështjes penale në ngarkim të Fatmir Mediu për shkak se vepra penale për të cilë ai akuzohet është amnistuar.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)