GJENERALET
Vetëm 18 ditë, pas katastrofës së Gërdecit, 627 kilometra larg kratereve gjigand të hapur në një fshat të zhdukur tashmë nga harta, më tre Prill të vitit 2007, në samitin e NATO-s në Bukuresht, Barak Obama përballë presidentëve të vendeve më të fuqishme të botës,uroi presidentin shqiptar dhe gjeneralët që e shoqëronin: “Mirë se erdhët këtu. Jemi të kënaqur që në këtë 60 vjetor, Shqipëria dhe Kroacia bëhen anëtar me të drejta të plota në NATO. Si Kroacia dhe Shqipëria, kanë bërë shumë përpara. Ata kanë kontribuar para se të ishin pjesë e këtij organizimi. Jemi krenar që ju kemi aleatë…”.
Shqipëria, kishte realizuar kështu njw ëndërr të madhe. Forcat e saj të armatosura, ishin me në fund pjesë e strukturave të aleancës ushtarake më moderne dhe më rigoroze, që vepron në glob. Përpara se vendi ynë të bëhej anëtar de fakto i NATO-s, për një kohë të gjatë, gati gjithë zinxhiri komandues i ushtrisë sonë, ishte trajnuar dhe në zbatim ishin vënë të gjithë kriteret e legjistacionit të Aleancës, veçanërisht për sa i përket rigorozitetit në trajtimin e stoqeve gjigante të armatimit që trashëgonte vendi. Por çfarë kishte ndodhur në fakt nën rrogoz? A ishin të denjë, shumë prej oficerëve madhorë e gjeneralëve tanë, për të qënë në krahë të homologëve të ushtrive më të mëdha dhe moderne në botë? Pikërisht një pjesë e mirë e kastës drejtuese të ushtrisë dhe Ministrisë së Mborjtjes, nga shefa të thjeshtë e deri te gjeneralët superiorë, nga punonjës e deri te ministri i Mbrojtjes, për gati dy vjet rresht ishin përfshirë, në një skemë antiligjore e madje kriminale në krijimin e favorizimin e një biznesi që u finalizua me vdekjen e 26 njerëzve të pafajshëm, plagosjen e qindra të tjerëve dhe dëme materiale që shkojnë në shifra qindra milionëshe. Vetë shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Luan Hoxha, i cili vetëm 18 ditë pas shpërthimit që zbuloi makutërinë dhe papërgjegjshmërinë e atyre që drejtonin ushtrinë shqiptare, që do të ulej si i barabartë me gjeneralët më të njohur dhe tw fuqishëm të botës, merrte “urdhëra” në telefon nga një biznesmen, për të furnizuar sa më shumë me armatim, punishten e tij. Të njëjtën gjë në dhjetra raste, ka dokumentuar prokuroria, se Delijorgji ka bërë me drejtues të tjerë të ushtrisë e Ministrisë së Mbrojtjes. Dhe të gjithë i janë bindur, si të ishte vetë kreu i Aleancës, Rasmusen.
SKEMA
Në shumicën më të madhe të dosjes prej 553 faqesh që prokuroria lexoi në gjykatën e Tiranës, pas tre vjet hetimesh, argumentohet dhe del qartë se nën “komandën” dhe dirigjimin e biznesmenit Mihal Delojorgji dhe drejtorit të ndërmarjes ushtarake “MEIKO”, Ylli Pinari, një grup i gjerë ushtarakësh të lartë, deri te shefi i Shtabit të Përgjithshëm gjeneral Luan Hoxha, komandanti i Komandës së Forcës së Bashkuar gjeneral Shpëtim Spahiu, në bashkëpunim dhe në mënyrë të vetëdijshmë për atë që po bënin, nëpërmjet urdhërash të ndryshëm antiligjor dhe shpesh të fallsifikuar, kanë lejuar ngritjen e biznesit të shoqërisë së Mihal Delijorgjit, Albademil, me qëllim grumbullimin, demontimin dhe eksportimin më pas të municioneve të shumta luftarake, duke shkelur hapur ligjet. Në dosjen gjigante, janë dhjetra urdhëra të lëshuar nga këta gjeneralë, të cilët fillimisht përpiloheshin në kompjuterin e Ylli Pinarit, dhe më pas firmoseshi apo cikloheshin nga Luan Hoxha e Shpëtim Spahiu. Rezulton se të dy komandantët më të lartë të ushtrisë shqiptare dhe zinxhiri komandues poshtë tyre, jo vetëm kanë qënë në dijeni të plotë se çfarë po ndodhte në punishten e Gerdecit, kushtet primitive në të cilat kryhej procesi delikat dhe i rrezikshëm i demontimit, por edhe i kanë shkatuar një dëm të madh shtetit, duke fallsifikuar çmimin e armatimit në favor të biznesmenit Delijorgji, i cili për gjithë veprimtarinë e tij, përdorte si mbulojë firmën amerikane SEC. Pas paraqitjes së një numri të madh dëshmish e dokumentash të përpiluara në mënyrë të jashtëligjshme prej të akuzuarve, nga grupi i prokurorëve deklarohet se: ”Gjatë këtij gjykimi nuk doli ndonjë moment që këto akte të ishin përgatitur nga jashtëtokësorë, por ato janë përgatitur pikërisht nga struktura të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Forcave të Armatosura...I pandehuri Ylli Pinari, përgatit një draft-urdhër (në kokë të atij vihet adresa e MEICO) dhe së bashku me memo-n, nëpërmjet të pandehurit Ardian Mullahi, ia kalon Ministrit të Mbrojtjes, shtetasit Fatmir Mediu. Një kopje e këtij drafti është gjetur dhe sekuestruar në sekretarinë e ndërmarrjes MEIKO. Shtetasi Fatmir Mediu, nënshkruan draftin, duke nxjerr urdhërin nr.1208, datë 19.07.2007“. Janë dhjetwra raste që prokuroria ka vërtetuar, se pikërshit në këtë mënyrë përgatisnin vetë Pinari me Delojorgjin, aktet dhe urdhëra që firmoseshin me “sy mbyllur“, nga krerët me të lartë të ushtrisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Pasi është manipuluar me vendime të turbullta të Këshillit të Ministrave, nëpërmjet akteve dhe dokumentave të manipuluara hapur pwrzgjedhja e SAC, janë nxjerë nga loja duke i shkaktuar humbje të mëdha shtetit, Uzina e Policcanit dhe ajo e Gramshit, të vetmet që plotësonin standartet për demontim edhe të municioneve të rënda. Sipas prokurorisë përulja e ushtrisë shqiptare përpara një biznesmeni dhe interesave të ngushta financiara, ka arritur deri aty, sa që edhe rojet e objektit ushtarak të Gërdecit ku u vendos jashtë çdo rregulli biznesi i Diverolit, mernin leje nga drejtuesit e firmës për të shkuar në vendshërbimet e tyre. Njëkohësisht, e pafalshme dhe krejtësisht antiligjore është për prokurorinë fakti se drejtuesit më të lartë të ushtrisë shqiptare, e dinin se ccfarë po ndodhte në Gërdec dhe se në çdo moment aty rrezikohej të ndodhte një katastrofë, siç edhe ndodhi në 15 Mars të vitit 2008. Sipas dëshmive punishten e Gërdecit, e ka vizituar i veshur civil edhe vetë komandanti i Komandës së Forcës së Bashkuar gjeneral Shpëtim Spahiu, i cili ka parë në realitet sesi çmontoheshin nga njerëz të pa trajnuar, me mjete primitive, si pinca e sqeparë edhe predha të rënda avionësh.Por jo vetëm kaq. Këta gjeneral që po bëheshin gati për tu futur në NATO, e shisnin punishten e Gërdecit si një shpëtim për vendi. Por prokuroria pas një hetimi tw gjatw, ka vërtetuar tjetër gjw: “Në veprimtarinë e tyre kriminale, të pandehurit kryesorë, kanë bashkëpunuar ngushtë edhe me të pandehur të tjerë në këtë proces, funksionarë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshem të F.A., duke arritur që në dukje ta paraqesnin procesin si një "shpëtim" për vendin dhe forcat e armatosura, e aq më tepër si një proces pa shpenzime pwr shtetin, por perkundrazi qw do t'i sillte vetwm fitim. Ky gjykim provoi se, ajo që të pandehurit në këtë proces realizuan, i solli përfitime materiale vetëm shoqërisë "ALBADEMIL" shpk dhe dëme të konsiderueshme buxhetit te shtetit”
ZHDUKET ROLI I DJALIT TE BERISHES
Në një kabllogram të datës 24 Tetor të vitit 2008, që ambasada amerikane në Tiranë ja dërgon me urgjencë dhe shqetësim Ndihmës Zëvendës Sekretarit të Departamentit të shtetit Stuart Jones, zyrtari i lartë paralajmërohet përpara takimit me kryeministrin shqipëtar në Tiranë: “Takimi kryesor i juaji (në Tiranë) do të jetë me kryeministrin Berisha, për të cilin ne kemi çdo arsye të besojmë se tentativa e sekuestrimit të dosjes hetimore nga Prokuroria e Përgjithshme, përfshirë kërcënimet ndaj prokurorëve për t’i arrestuar, janë aprovuar nga Berisha. Teksa hetimi mbi Gërdecin është duke përfunduar, po duket se mundësitë e përfshirjes së djalit të kryeministrit do të jenë shkatërruese politikisht për Berishën dhe me konsenguenca kriminale për djalin e tij, Shkëlzenin”.
Duket se ambasada USA në kryeqytetin tonë, ka pasur informacion se në hetimin e dosjes “Gërdeci”, ashtu si edhe është investiguar intesivisht gjatë këtyre tre viteve nga media, është i përfshirë edhe Shkëlzen Berisha e miq të tij. Por në 553 faqe të këtij hetimi, nuk përmendet në as një rresht roli i tij, ndërhyrjet e kontaktet e shumta të investiguara nga media, me të akuzuarin kryesor për të cilin është kërkuar burgim i përjetshëm, Ylli Pinari, me vetë Mihal Delijorgin dhe ish Ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu. Ky i fundit është i vetmi politikan i cili del gati në çdo faqe të pretences, ku rezulton mjaft i përfshirë në krijimin dhe funksionimin antiligjor për interesa përfitimi të punishtes së demontimit të armëve në Gërdec. Gjithashtu djali i kryeministrit, nuk rezulton në asnjë rast, as i pyetur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, për dijet që ka ai për këtë biznes. Duket se presionet dhe kërcënimet e forta të kryeministrit ndaj organit të akuzës gjatë hetimit, ja kanë arritur qëllimit, të paktën tani për tani.
PRETENCA
89 vite burg për 20 majorë, kolonel, gjeneral e funksionarë të ministrisë
Një “mal” me vite burgu, ka kërkuar prokuroria për 20 ushtarakë të lartë të ushtrisë, majorë, kolonelë e gjeneralë, që kishin fuksione deri në majë të piramidës, si dhe për fuksionarë të Ministrisë së Mbrojtjes, të akuzuar, si të implikuar rëndë në aferën “Gërdeci”. Plot 89 vite burg dhe një burgim i përjetshëm, i presin të gjithë nëse gjykata, lë në fuqi kërkesën e prokurorisë.
Ylli Pinari- burgim të përjetshëm
Luan Hoxha – 8 vite burg
Shpëtim Spahiu – 8 vite burg
Shkëlzen Madani – 8 vite burg
Agim Lala - 4 vite burg
Dashnor Çaushi - 8 vjet burg
Zija Bahja - 6 vite burg
Ndue Marku - 3 vite burg
Ardian Mullai - 7 vite burg
Hilmi Lacaj - 4 vjet burg
Fiqiret Mato - 2 vite burg
Fari Toska - 4 vite burg
Adriatik Mema - 1 vit burg
A. Babameto - 4 vite burg
Besnik Dauti - 3 vite
Denis Hajdari - 3 vit e 6 muaj
Fatbardh Kuçi - 3 vjet e 6 muaj
Jorgo Mino - 4 vite burg
Zenun Ferro - 4 vite e 6 muaj burg
Gëzim Oshafi – 3 vjet e 6 muaj
(shqiptarja.com)