Gëzim Çela, ishte oficer policie në vitin 2003, kur u arrestua për trafik dhe shfrytëzim të prostitucionit që niste nga Bullgaria dhe përfundonte në Itali. 

Gjyqtari Arben Kostandini e dënoi me 7 vite e gjysëm, por duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar dënimi shkoi në 5 vite burg, të cilat gjithsesi Çela nuk i shleu. 

Paraqiti një epikrizë për kancer në gju, që i mjaftoi gjyqtarin Albert Meçe të nxirrte një vendim të dytë për ta liruar me kusht.

Çela u largua në Turqi, ku arrestohet nga policia lokale për trafik droge. Epikriza e kancerit në gju nuk e ndihmoi para gjykatës turke e cila e dënoi 6 vite burg.

Gjatë kohës që shlyente dënimin në Tuqi, Çela gjykohet në Itali për Shfrytëzimim të prostitucionit në rrethana rënduese”, “Organizatë kriminale”, “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, dhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”, duke e dënuar 19 vite, 9 muaj dhe 29 ditë burg.

Në shtatorin e vitit 2012, pasi shleu dënimin në Turqi, Çela u arrestua me të zbritur në aeroportin e Rinasit, pasi rezultonte në kërkim nga autoritetet italiane për dënimin e dhënë bashkë me 14 pjesëtarë të tjerë të organizatës, gjysma e të cilëve ishin shqiptarë. 

Në janar të vitit 2013 gjyqtari Artur Gaxhi njohi dënimin e drejtësisë italiane duke i hapur rrugën esktradimit të Çelës që nga autoritet italiane e konsideronin “Baron të Drogës”. 

Nuk dihet se cili ishte gjyqtari dhe cili ishte vendimi që e ka penguar ekstradimin e Çelës, në gjykatën e Apelit në Tiranë, ndërsa kanë qenë të shumta rastet që gjykatat shfrytëzonin mungesën e marrëveshjes së ekstradimeve për të mos lejuar ekzekutimin e vendimeve të drejtësisë italiane.

Çelaj, jetonte në rrugën Don Bosko në Tiranë, si pronar i një supermarketi në atë zonë.

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)