Në një intervistë për Shqiptarja.com, kryetari i komunës Lekbibaj në Tropojë sqaron arsyen pse nuk ndodh rritja e numrit të popullsisë në komunat që drejtohen nga të majtët, por vetëm në ato komuna që drejtohen nga përfaqësues të mazhorancës.

Ai thotë se kjo bëhet për përfitimin e mandatit të një deputeti në Kuvend nga mazhoranca.

Sipas të dhënave të gjendjes civile rezulton se në disa komuna në Qarkun e Kukësit që drejtohen nga PD, është shtuar numri i popullisë. A ndodh i njëjti fenomen edhe në komunën që ju drejtoni?


Në krahasim me vitin e kaluar mund të them se shifrat nuk kanë ndryshuar shumë. Janë aty-aty po të krahasojmë sesa janë larguar dhe se sa banorë janë shtuar në komunën tonë, përfshirë dhe ata që mund të jenë kthyer nga emigrimi. Nga kjo mund të them se një shifër e përafërt mund të jetë diku te 0.1 % që mund të jetë shtuar popullsia në komunën e Lekbibajt.

Në komunat Topojan, Fierzë, Shishtavec etj., popullsia është shtuar me mbi 100 banorë. Pse nuk ndodh që dhe në komunën që ju drejtoni të ketë një shtim të tillë të popullsisë?


Nuk është e mundur kurrësesi që në këtë komunë të shtohet popullsia me 100 banorë apo dhe më shumë. Madje as largimet për një periudhë disa mujore nuk mund të themi që janë në shifrat me 100 shtetas. Kjo mbetet në dorë të gjendjes civile që të japë të dhëna të sakta.

Si e shpjegoni shtimin e papritur për dy muajt e fundit në komunat pranë jush?

Shpjegimi është i thjeshtë. Rritja ka ndodhur në ato komuna që historikisht kanë qenë të djathta. Ata shpërngulin njerëz nga një qytet a komunë e i regjistrojnë si banues këtu në këto komuna. Kjo është një taktikë e ndjekur prej kohësh nga ata. Qëllimi i vetëm është që të shtojnë numrin e shtetasve këtu për të marrë mandatin e deputetit.

(ad.ti/shqiptarja.com)