Donald Trump mbërrin në brigjet e Liqenit të Gjenevës me hapin e fitimtarit. Vetëm pak orë më parë ai kishte njoftuar një marrëveshje me Iranin, e cila sipas fjalëve të tij synon t’i japë fund 106 ditëve luftë. Megjithatë, pas skenografisë së triumfit, në samitin e G7 në Evian të Francës mbizotëron kujdesi. Shtrëngimi i duarve me Emmanuel Macron është i ftohtë, pothuajse i sforcuar. Më pas presidenti amerikan korrigjohet, buzëqesh dhe përpiqet të zbusë atmosferën.

“Emmanuel është një mik i veçantë. Kemi një marrëdhënie fantastike dhe kemi punuar së bashku për shumë marrëveshje”, tha ai.

Macron kishte menduar gjithçka për ta kënaqur Trumpin: resortin luksoz me fushë golfi, Coca-Cola në çdo dhomë dhe darkën gala përmbyllëse në Versajë me fishekzjarre. Një pritje e denjë për një “Mbret Diell” modern. Por diçka nuk shkon sipas planit. Macron nuk është aty për ta pritur në mbërritje, pasi ndodhej në një takim me presidentin brazilian Luiz Inácio Lula da Silva.

Pak më vonë, gjatë takimit të parë dypalësh, Trump merr fjalën dhe nuk nis të flasë për Iranin, Hormuzin apo Ukrainën. Ai përmend Ciryl Gane, kampionin francez të MMA-së, i cili kishte marrë pjesë në festimet e ditëlindjes së tij në Shtëpinë e Bardhë.

E pe?”, e pyet Trump Macronin.

E pashë më vonë”, përgjigjet presidenti francez, dukshëm në siklet për të komentuar një sportist që nuk dukej se e njihte mirë.

Lideri francez e përshëndet marrëveshjen me Iranin si një hap “të rëndësishëm” dhe “thelbësor për paqen në të gjithë botën”. Ai përsërit se Franca dhe aleatët janë të gatshëm të “marrin përgjegjësitë e tyre”. Por Trump e ndërpret pothuajse menjëherë.

“Nuk besoj se do të kemi nevojë për shumë ndihmë”, deklaron presidenti amerikan.

Pasi kishte kritikuar vazhdimisht aleatët për mungesën e mbështetjes gjatë ofensivës, Trump minimizon edhe nevojën për një mision detar ndërkombëtar.

“Kemi një marrëveshje që garanton hapjen e kalimit. Dhe nuk do të ketë tarifa”, tha ai.

Më pas shtoi me ton të qetë:

“Nuk mendoj se do të ishte ide e keqe të kishte një ose dy anije nga disa vende. Ju do të ishit një vend i shkëlqyer për ta bërë këtë. Sepse nuk i dihet kurrë çfarë mund të ndodhë.”

Në darkën zyrtare, lideri amerikan ulet mes Macronit dhe kryeministrit britanik Keir Starmer, dy figurat kryesore të koalicionit të të ashtuquajturve “Vullnetmirë”. Amerika në qendër, Evropa në të dyja anët. Giorgia Meloni, e cila kishte mbërritur në resort me vajzën e saj, ulet pranë kryeministres japoneze.

Rreth tryezës askush nuk e ka harruar 27 shkurtin dhe luftën që shpërtheu pa konsultim me aleatët. Të gjithë liderët e pranishëm kanë ndjerë pasojat ekonomike të konfliktit. Pavarësisht toneve solemne të njoftimit amerikan, diplomatët evropianë mbeten të kujdesshëm.

Një burim diplomatik e përshkruan situatën si “një memorandum në funksion të një protokolli që do të nënshkruhet të premten dhe që ndoshta mund të çojë në një marrëveshje brenda 60 deri në 90 ditësh”.

Pra, ende nuk bëhet fjalë për paqe, por për një premtim drejt saj. Sipas Trumpit, teksti i marrëveshjes do të publikohet së shpejti.

Është një dokument i fuqishëm”, deklaron ai, duke e krahasuar me marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 të arritur nga Barack Obama, të cilën e cilëson si “të tmerrshme”.

Ceremonia e nënshkrimit të protokollit pritet të zhvillohet të premten në Gjenevë, vetëm pak kilometra larg samitit. Në të do të marrë pjesë zëvendëspresidenti JD Vance. Trump, megjithatë, nuk angazhohet për të qëndruar më gjatë në Evropë.

“Varet nga axhenda, mund të jem kthyer tashmë”, tha ai.

Presidenti amerikan siguron se kalimi në Ngushticën e Hormuzit do të rihapet që të premten dhe “pa tarifa”. Megjithatë, në delegacionet evropiane vazhdojnë dyshimet. Sipas tyre, Teherani mund të ketë siguruar një formë të fshehtë kompensimi, ndoshta nën termin e paqartë “kosto menaxhimi” për ngushticën.

Macron dëshiron të shfrytëzojë orët në vijim me Trumpin për të diskutuar edhe dosje të tjera ku roli i SHBA-së mbetet vendimtar. Sot në G7 pritet të mbërrijë edhe Volodymyr Zelensky.

Trump zbulon se ka pasur “biseda shumë të mira” si me presidentin ukrainas, ashtu edhe me Vladimir Putinin në ditën e ditëlindjes së tij.

“Ndoshta mund të bëjmë diçka për Ukrainën. Besoj se si Putini ashtu edhe Zelensky janë të gatshëm”, tha ai.

“Tani që e kemi mbyllur çështjen me Iranin, mund të përqendrohemi te kjo”, shtoi presidenti amerikan.

Një tjetër dosje e rëndësishme është Libani, që intereson veçanërisht Macronin dhe Melonin. Ofensiva izraelite vazhdon, ndërsa mandati i misionit UNIFIL skadon pas më pak se tre muajsh. Franca dhe Italia janë ndër kontribuuesit kryesorë të këtij misioni.

Trump shfaq njëfarë hapjeje edhe në këtë çështje.

“Duam t’i japim fund konfliktit në Liban, sepse duket se nuk mbaron kurrë”, deklaroi ai.

Sipas presidentit amerikan, Libani “është një problem mbi të cilin duhet të punojmë” dhe shtoi se “beson se do të gjendet një zgjidhje”./La Repubblica