Gafa e Shkëlzenit që pranon: Emri im u përdor për të trembur dhe për të mbështetur biznese e trafikantë armësh

Gafa e Shkëlzenit që pranon: Emri im u përdor për të trembur dhe për të mbështetur biznese e trafikantë armësh

Shkëlzen Berisha

Në përpjekjen e tij të pafund për t’u distancuar nga skandali i Gërdecit, Shkëlzen Berisha reagoi sot ndaj deklaratave të David Packouz, i cili i intervistuar nga një podcast amerikan përsëriti se Shkëlzen Berisha ka qenë prezent në disa takime në Tiranë me trafikantin Efraim Diverolin dhe përfaqësues të MEICO-s (ndërmarrja ushtarake shqiptare) ku u diskutua për furnizimin me fishekë për t’iu shitur më pas qeverisë amerikane e për t’u dorëzuar në Afganistan. Në fakt sipas Packouz nuk ka qenë vetëm Diveroli që ka folur mbi prezencën e Shkëlzen Berishës në atë takim. Gjatë një interviste të mëparshme me gazetarin e Report Tv Arbër Hitaj, Packouz ka bërë edhe një emër tjetër: ''Aleks Podricki, që ka qenë në ato takime dhe është një mik i mirë i imi, me tha se në një takim ka qenë Ylli Pinari, Mihal Delijorgji dhe ka njohur edhe djalin e ish kryeministrit zotin Sali Berisha. Pra ai e takoi edhe djalin e ish kryeministrin dhe e njohu atë menjëherë në takim. Berisha ka qenë në atë takim''.

Packouz nuk ka thënë asnjëherë se e ka parë Shkëlzenin me sytë e tij, por vetëm sa ka referuar atë që i kanë thënë përvec Podrickit, edhe Diveroli.  E reja interesante e reagimit sot është se vetë Shkëlzeni zbulon se përse të paktën Diveroli e ka përdorur emrin e tij: 'Vetë Diveroli (pra burimi i Packouz) - pretendon djali i Sali Berishës - para gjykatës amerikane dhe nën betim ka pranuar jo vetëm që nuk më ka takuar kurrë, por që ka gënjyer qëllimisht për të marrë mbështetje dhe vëmendje për biznesin e tij nga diplomatë të vendit të tij në Tiranë!''.

Për të konfirmuar pretendimet e tij, Shkëlzen Berisha bën publikë verbale të marrjes në pyetje të Diverolit, por pikërisht këtu gjendet dhe surpriza: ''Te nesermen e takimit, e informova Trebicken qe AEY do te prishte kontraten per ripaketimin e fishekeve nga Xhoi. Gjithashtu, pa asnje baze faktike, i thashe Trebickes qe Shkelzen Berisha, djali i kryeministrit te Shqiperise, ishte nje nga pjesemarresit e Takimit me MEIKO-n, dhe qe mafia shqiptare po kontrollonte kontraten e fishekeve. Berisha nuk ishte pjesemarres ne takimin me MEIKO-n dhe nuk ka patur asnje lloj perfshirjeje me kontraten e fishekeve te AEY (...) Une e trillova historine per pjesemarrjen e Berishes ne menyre qe te avancoja interesat e biznesit te AEY. Qellimi kryesor ishte qe Trebicka te mos fliste''.

Praktikisht vetë Shkëlzen Berisha e pranon pa u habitur se emri i tij është vendosur në krah të mafias shqiptare dhe se është përdorur për të trembur Kosta Trebickën (i cili vdiq disa muaj më vonë në rrethana misterioze) me qëllim që të mos fliste dhe për të bërë që projekti i AEY i paligjshëm në Tiranë të ecte përpara pa asnjë pengesë. Në rastin më klasik të një lapsusi frojdian, Shkëlzeni shqetësohet të distancohet nga kontrata për shitjen e fishekëve (e cila është e lidhur vetëm në mënyrë indirekte edhe me shpërthimin tragjik në Gërdec në të cilën pastaj Shkëlzeni rezulton i përfshirë përmes të tjera dokumenteve), por nuk shqetësohet të përgënjeshtrojë faktin se sipas Diverolit, ai përfaqësonte mafien shqiptare dhe se mjaftonte t’i zihej emri me gojë për të trembur dhe për të hequr pengesa eventuale në biznesin e trafikantit amerikan.

Shkëlzen Berisha nuk përpiqet të shpjegojë as se përse Diveroli, do të duhej të gënjente edhe ortakun David Paskouz mbi praninë e djalit të kryeministrit gjatë takimit, nëse emri i tij po shërbente vetëm për të trembur Kosta Trebickën.

Por ka edhe dy pyetje të tjera::

1) Si dhe nga e njihte amerikani Diveroli emrin e Shkëlzen Berishës dhe përse e bashkëngjiti atë me rolin e mafias shqiptare?
2) Dhe përse sipas Diverolit emri i Shkëlzen Berishës do të mjaftonte për t’i mbyllur gojën Kosta Trebickës dhe do të lehtësonte biznesin e tij të paligjshëm?

Në përgjigjen ndaj këtyre pyetjeve fshihet misteri i atyre 8 viteve të qeverisë Berisha (2005-2013) gjatë të cilëve familja Berisha duke nisur nga fëmijët e kryeministrit, Argita dhe Shkëlzeni, ishin bërë faktorë dominues në tregun shqiptar të aferave dhe të krimit. Një realitet tragjik i korrupsionit të përhapur të cilin Departamenti Amerikan i Shtetit e transformoi më pas në familje “non grata” dhe që është aq shumë e ditur sa edhe vetë Shkëlzeni sot e ka konfirmuar boterisht.

Deklarata e Efrim Diverolit e botuar sot nga Shkëlzen Berisha
 

xy/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë