TIRANË - Silvia Godelli, këshilltare për Mesdheun në rajonin e Puglias në Itali dhe ambasadori i Italisë Massimo Gaiani ishin sot të ftuar në redaksinë e Shqiptarja.com dhe tv A1 Report. Gjatë një interviste televizive në studion e tv A1 Report, për gazetaren Eriona Rusi ata vlerësuan miqësinë dhe bashkëpunimin përmes projekteve konkrete mes dy vendeve të cilat do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Ambasadori i Italisë tha se, "Shqipëria e meriton dhënien e statusit të vendit kandidat nga Këshilli Evropian në fund të dhjetorit. Kjo do të ishte një stimul që do i jepej Shqipërisë për reformat e tjera që Europa kërkon nga Shqipëria.

“Propozimi i KE-së është tejet i justifikur sepse Shqipëria e meriton si nga puna që ka bërë qeveria e mëparshme, zhvillimi i zgjedhjeve dhe puna e qeverisë së re dhe arritjet e tjera . Italia mendon se kjo mirënjohje është e duhur dhe ka ardhur moment të jetë si stimul për reformat e reja që Europa kërkon nga Shqipëria. Jam optimist sepse Shqipëria e meriton plotësisht statusin e vendit kandidat.”- tha Massimo Gaiani.
 
Duke u ndalur tek çështja e asgjësimit të armëve kimike, ambasadori tha se u vlerësua përpjekja dhe gadishmëria që Shqipëria tregoi për këtë cështje të rëndësishme si dhe u mirëkuptua refuzimi për shkak të vështirësive teknike.

“Komuniteti ndërkombëtar u ndodh përballë një problemi të rëndë sikundër është ai i shkatërrimit të armëve kimike. Por gjithsesi çdo kontribut që do të jepej në zgjidhjen e këtij problemi ishte i mirëpritur nga Italia. Kemi vlerësuar dhe vlerësojmë përpjekjen e gadishmërinë që dha Shqipëria për këtë problem të rëndësishëm. Kemi patur parasysh vështirësitë me karakter tenik,dhe mirëkuptuam shpirtin që e shtyu qeverinë që të japë këtë përgjigje negative por gjithsesi ishte një përgjigje e pjekur, jo sepse nuk ishte e gatshme tu vinte në ndihmë komunitetit ndërkombëtar por ishin  vështirësitë që paraqiste kjo çështje në Shqipëri.”- tha Gaiani.
 
Këshilltarja e Mesdheut për rajonin e Pulias tha se është një moment i rëndësishëm për thellimin e bashkëpunimit  sepse “nis një program i ri për 7 vjet, nga 2014-2021 një sërë projektesh me qindra milionë eurosh”

Një tjetër temë ku do të thellohet bashkëpunim është energjia. “Kemi një projekt që po zhvillohet. një projekt strategjik alterenergji, pra energji të tjera që vijnë nga burime të rinovueshme, si burime të erës. Për këtë ne do të donim të bashkëpunonim së bashku. Puglia është prodhuesi kryesor i energjisë së rinovueshme në Itali. Duhet të bëjmëhov cilësor”- tha Godelli.
 
Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)