Gara Basha-Olldashi për
kryetarin, plasin sherret në PD

Gara Basha-Olldashi për<br />kryetarin, plasin sherret në PD
TIRANE - Kur kanë mbetur edhe 12 ditë nga gara brenda strukturave dhe anëtarësisë së Partisë Demokratike për të zgjedhur kryetarin e ri të PD, klanet rivale të të dy kandidatëve, Lulzim Basha dhe Sokol Olldashi u gjendën nën presionin dhe trysninë e kryeministrit për të mos bërë fushatë për asnjë nga kandidatët.

Gjithë “rrëmuja” lindi në qytetin e Korçës, ku prefekti Andrea Mano është rreshtuar në mbështetje të kandidaturës së Lulzim Bashës, ndërkohë që këshilltari i ministrit të Financave Ritvan Bode, Elvi Fundo, është rreshtuar në mbështetje të kandidaturës së Sokol Olldashit.

“Po është e vërtetë që kam qenë në Korçë dhe jam duke mbështetur kandidaturën e Sokol Olldashit për postin e kryetarit të Partisë Demokratike. Dje jam kthyer në Tiranë, sot kam komunikuar me ministrin pas mesazhit të kryeministrit Sali Berisha për të mos u përfshirë stafet në fushatë ose të japin dorëheqjen dhe po sot do të nisem sërish në Korçë në mbështetje të kandidaturës së Sokol Olldashit” thotë me plot gojën Elvi Fundo, këshilltar i ministrit Ritvan Bode.

Lidhur me dorëheqjen, ashtu sikurse ka kërkuar Berisha për këta zyrtarë, Fundo thotë se gjithçka për këtë çështje, është një marrëdhënie mes tij dhe shefit të tij Ritvan Bode. Në të njëjtën kohë, në bashkinë e Tiranës, avokati i Bashkisë ka dhënë dorëheqjen, ashtu sikurse ka kërkuar kryeministri, në mbështetje të kandidaturës së Lulzim Bashës. Ervin Salianji, tha nëpërmjet një mesazhi dy ditë më parë se ai do të bëjë fushatë për Lulzim Bashën.

“Kam marrë një vendim që nuk është absolutisht i lehtë për mua. Kam dhënë dorëheqjen nga detyra e avokatit të qytetit. Prej dy vitesh drejtoj këtë zyrë në Bashkinë e Tiranës dhe kam pasur privilegjin t’u shërbej drejpërdrejtë banorëve të kryeqytetit, duke shqyrtuar me mijëra kërkesa. Unë kam vendosur të mbështes kandidaturën e zotit Basha në garën për kryetar të PD dhe nuk e gjykoj të ndershme ta bëj këtë duke mbajtur një post publik”, thotë Ervin Salianji në mesazhin e tij.

“Nuk është ndonjë sakrificë e madhe. Ervin Salianji do të vijë në Korçë të bëjë fushatë për Bashën, ashtu sikurse unë për Olldashin. Problemi është se në datën 22 korrik Salianji do të kthehet sërish në detyrën e tij në bashki, ndërsa unë, me ndërrimin e qeverisë, do të largohem përfundimisht nga detyra që mbaj” sqaron Elvi Fundo për shqiptarja.com. Pak më herët në mesditë e ka shprehur gjithë këtë në faqen e tij në facebook dhe në fakt duket se pak njerëz e kuptojnë. Nëpërmjet ironive, ka përmendur shumë kundërshtarë, disa prej të cilëve i konsideron “bajga”. “Çfarë ka ndodhur?? çfarë ka ndodh? Kush është ""Bajga"" etj etj, po më pyesin kolegë gazetarë miq e shokë. Hiç gjë nuk ka ndodh, hiç gjë. Thjesht disa plera e ndyrësira, njerëz që fusin turinjtë kudo inskenojnë, manovrojnë, sepse kujtojnë se unë mund të tërhiqem. Po i biet murit me kokë?? Edhe bajga dhe dashnori i Naimit inskenuan duke kujtuar se unë tërhiqem. Po çfarë thoni more çfarë thoni, keni ngatërruar adresë. Përkundrazi unë kur ngacmohem ateherë zgjohem. Pak më vonë të tjera përgjigje për kolegët” shkruan këshilltari i Bodes në faqen e tij në facebook.

Gjithçka nisi pasi dy nga këshilltarët e kryeministrit Glori Hysi dhe Ylli Asllani filluan nga Gjirokastra fushatën e tyre për Lulzim Bashën, kundër kandidaturës së Sokol Olldashit. Këshilltarët e Berishës u përfshinë drejtpërdrejtë, ndërkohë që më vonë edhe prefekti i Korçës u bashkua me Lulzim Bashën, por pa dhënë dorëheqjen nga detyra e prefektit. Jozefina Topalli, kryetarja e Kuvendit, ditën e djeshme u nis me urgjencë në Shkodër dhe në takime me strukturat dhe bazën, ka bërë thirrje në mbështetje të kandidaturës së Sokol Olldashit në postin e kryetarit të Partisë Demokratike. “Eshtë e vërtetë se zonja Topalli na ka mbledhur. Gjithçka shkon në frymën tonë, në frymën e zhvillimeve të deritanishme. Zoti Olldashi ka më shumë eksperiencë dhe në opozitë do të dijë të përçojë më shumë bashkimin e të gjithë faktorëve për të mos u ndarë partia me klane”, tha një nga anëtarët e kryesisë së PD në Shkodër për Shqiptarja.com.

E bashkë me gjithë të tjerët, duket se akuza ka edhe ndaj një prej universiteteve private në Tiranë. Një pjesë e mirë e studentëve dhe stafit të UET kanë dalë në mbështetje të kandidaturës së Lulzim Bashës për postin e kryetarit të PD. Këto 12 ditë, procesi nuk mund të kontrollohet më nga kryeministri, kur të gjitha palët duket se kanë dalë në bazë për të dhënë mbështetjen për kandidatët e tyre. Në Tiranë, Arben Qirjako, kandidat për deputet dhe drejtor i Hipotekave, gjithashtu ka dalë në mbështetje të kandidaturës së Sokol Olldashit.

Një pjesë e mirë e deputetëve më të vjetër, janë duke punuar për kandidaturën e tij, ndërsa më të rinjtë për Lulzim Bashën. Në PD, lufta e klaneve sapo ka filluar, dhe në këtë përplasje, deri në 22 korrik kohë në të cilën do të zgjidhet kryetari i ri, të gjitha stafet e shtabet e ministrave, kanë dalë në terren për një kandidat apo për një tjetër.


(Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com)
Redaksia online

(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Propozimi i PS, a na duhet një reformë e re anti-korrupsion?



×

Lajmi i fundit

Transporti i gjelbër, taksitë elektrike dhe transformimi i Piramidës tërheqin vëmendjen e mediave gjermane

Transporti i gjelbër, taksitë elektrike dhe transformimi i Piramidës tërheqin vëmendjen e mediave gjermane